Eduart Grishaj sapo ka sjellë projektin e tij më të ri filmik, “Pasaporta” që prej 17 janarit ka pushtuar  kinematë në Shqipëri dhe gjithashtu në botë. Njësoj si në filmin e mëparshëm, “Sofia”, një nga bashkëpunëtoret e tij në këtë sipërmarrje ishte edhe gruaja e tij, moderatorja Arbana Osmani e cila luajti pikërisht rolin e profesionit të saj.

Grishaj u kujdes që filmi të përfshinte edhe një detaj nga njohja e tyre duke i bërë kështu një dedikim të përjetshëm dashurie, tregon ai për “Rudina” në Tv Klan. Gjithsesi pranon se surprizat më të mëdha e më të shpeshta i organizon Arbana dhe as këtë herë nuk pati përjashtime. Ajo i ka dërguar një videomesazh surprizë ku veç dashurisë e vlerësimit, refuzon prerë ofertën e filmit të radhës.

Arbana Osmani: Qenka e vështirë të të bësh një mesazh ty publikisht duke të të pasur gjatë gjithë kohës në shtëpi dhe në zemër, por po ta dërgoj këtë mesazh sot te “Rudina” nga Shkodra jote ku më ke sjellë me mision. Dua të të them që është gjithmonë kënaqësi të punosh me ty, është kënaqësi të ndash jetën me ty, por është pesëfish edhe të punosh me ty. Nuk do të jem te filmi yt i ardhshëm. Nuk më ke paguar në dy filma, nuk kam ndërmend që të vij prapë dhe të mbetem e papaguar, të gjithë aktorët e tjerë i ke paguar. Dua thjesht të të them që jam shumë e gëzuar për ty dhe jam shumë e lumtur me ty. Kaq. Rudina përshëndetje dhe faleminderit!

‘I lënë’ në baltë nga bashkëshortja, regjisori ‘detyrohet’ t’i kërkojë ndihmë Rudina Magjistarit, e cila  sigurisht që parashtron kushtet e saj.

Rudina Magjistari: E përshëndesim Arbanën dhe e komplimentoj shumë, për pjesëmarrjen në këtë  film, për interpretimin e saj pavarësisht të gjtihave, ajo është para kamerave dhe para një regjisori filmi, është tjetër gjë nga televizioni.

Eduart Grishaj: Atëherë Rudina, unë në studion tënde, përballë teje po marr vesh që Arbana nuk do të vijë më te filmi i tretë. Taksirat e ke, bëhu gati, ma zëvendëso te filmi tjetër.

Rudina Magjistari: Mua duhet të më paguash Eduart se s’ka mënyrë tjetër.

Eduart Grishaj: Nëse unë do të fitoj lekë te ky filmi, patjetër, nëse s’do të fitoj, unë, s’do të fitosh as ti, do të kontribuojmë për artin./tvklan.al