E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, për të folur në lidhje me gjobat 10 mijë lekëshe për këmbësorët, ka qenë efektivja e Policisë Rrugore, Anxhelina Bregu.

Ajo u shpreh se pasi këmbësorëve ju vendoset gjoba, iu merret karta e identitetit deri në shlyerjen e gjobës. Më pas, sipas saj, ata duhet të rikthehen me mandatin e pagesës tek punonjësi i policisë.

Bregu tregon gjithashtu se kjo masë nuk mbetet në historikun e qytetarit, por nëse përsëritet si veprim, do të marrin sërish gjobë.


Aldo: 10 mijë lekë, nuk është se është pak të them të drejtën, po kjo gjobë si paguhet? Domethënë, nëse unë marrë gjobë me makinë e di që shkoj në ndonjë bankë, a me një nga ato kioskat që janë hapur, e ke parasysh.

Anxhelina Bregu: Tani, përsa i përket shumës, këto janë organe kompetente që e vendosin dhe punojnë në kodin rrugor…

Aldo: A ka ndonjë afat për këtë për t’u paguar?

Anxhelina Bregu: Do ta sqaroj dhe këtë. Policia Rrugore thjesht e vendos në zbatim. Përsa i përket vjeljes së kësaj mase, e kam thënë edhe herë të tjera, ne i referohemi nenit 205, ku na jepet e drejta për t’i mbajtur 1/3 e dokumentacionit të mjetit. Njëkohësisht, ne nuk mund ta mbajmë dot dokumentacionin sepse është këmbësor, por i marrim kartën e ID-së deri në shlyerjen e gjobës. Dhe ky drejtues…

Aldo: Vërtet?

Anxhelina Bregu: Po, sepse nuk ke si ia lë masën ndryshe, nuk ke sesi e vjel. Nuk është drejtues mjeti, që kjo masë të kalojë te karta e mjetit.

Aldo: Dhe ti ia kthen këtë kartën kur paguan gjobën?

Anxhelina Bregu: Po.

Aldo: Pra, duhet të shkojë tek drejtoria e policisë ta vërtetojë, apo s’ka nevojë?

Anxhelina Bregu: Jo, absolutisht. Thjesht merr kopjen e masës që atij i përket dhe me atë shkon bënë pagesën. Më pas, rikthehet tek punonjësi i policisë për t’i dhënë mandatin e pagesës.

Aldo: Pra, unë filan fisteku mora gjobë, shkova pagova, mora faturën që pagova dhe erdha të gjeta ty tek 21-shi për shembull… se e bukura është kjo, që duhet të kërkosh dhe policinë që të ka marrë. Të dhashë atë dhe më dhe kartën, nëse po atë pasdite unë bëj përsëri një shkelje…

Anxhelina Bregu: Përsëri masë.

Aldo: Përsëri masë. Emri im regjistrohet?

Anxhelina Bregu: Në kartë ID-je kjo nuk mbetet në historik dhe kjo nuk mbetet në rekord.

Aldo: Ti si polic, e shikon që unë paskam bërë edhe sot paradite të njëjtën shkelje?

Anxhelina Bregu: Jo nuk e shikoj se mund të jetë punonjës policie i ndryshëm. Okej, mund të qëlloj unë, por mund të qëllojë dhe një kolegu im.

Aldo: Nëse unë shkel rregullisht këtë punë, prapë 10 mijë lekë?

Anxhelina Bregu: Po, deri në momentin që mos ta shkelësh më. Dhe ne kjo do të na interesonte shumë. /tvklan.al