Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur për mediat përpara ndeshjes vendimtare kundër Atletico Madridit në “Bernabeu” në mbrëmjen e së shtunës.

Ai u pyet për polemikat e fundit rreth arbitrave gjatë javës, ndërsa theksoi se Los Blancos duan vetëm një shpjegim.

Reali u ankua për vendimin për mos ta përjashtuar mbrojtësin e Espanjol, Carlos Romero, për një ndërhyrje të gabuar ndaj Kylian Mbappe. I pari më pas shënoi golin e fitores për Espanjol. Për Presidentin e La Liga-s, Javier Tebas, Realit i ka ikur mendja me të tilla pretendime.

“Nuk kam dëshirë që të ndalem te kjo temë, përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Tebas të qëndrojë i qetë, askush këtu nuk e ka humbur mendjen! Gjithçka që është kërkuar është një shpjegim. Të ndryshojë një sistem për të cilin, me sa kam kuptuar, askush nuk është i kënaqur! Ata thonë se sistemi favorizon Realin, por kur Reali dëshiron ta ndryshojë atë, ata e refuzojnë atë!”, tha Carlo Ancelotti.

Ancelotti analizoi edhe sfidën ndaj “Los Colchoneros”, që sipas tij, do të jetë e komplikuar.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme për të dyja skuadrat. Derbi është gjithmonë i veçantë, ndaj një kundërshtari shumë të vështirë. Ata kanë mjaft cilësi! Por në të tilla sfida ke dëshirë që të jesh! Do te jetë spektakël!”, tha Ancelotti.

Trajneri i Atleticos, Diego Simeone tha se skuadra e tij do të jetë e përqendruar për derbin dhe jo te polemikat. Reali ka 49 pikë dhe kryeson renditjen, ndërsa Atletico pozicionohet në vend të dytë me 1 pikë më pak.

Klan News