Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ushtari grek i cili keqtrajtoi dhe më pas qëlloi me armë zjarri shtetasin Ferhat Ceka është dënuar me një vit burg. Për personin tjetër ushtarë që ka qenë i pranishëm është dhënë pafajësia. Ky ka qenë dënimi që ka dhënë gjyqi ushtarak i Selanikut në datën 16 Shtator.
Në zhvillimin e seancës gjyqësore, ka marë pjesë si vëzhguese dhe zonja Vasilika Hysi, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas zonjës Hysi, hetimi i kësaj çështje ka qenë i dobët dhe masa e dënimit tregon edhe njëherë, se të drejtat e shqiptarëve në shtetin grek nuk respektohen.
Vasilika Hysi: “Ishte një masë dënimi një vit burgim, i pezulluar për tre vjet dhe për ushtarin e dytë u dha pafajësi. Ne konstatuam se hetimet që bëhen ndaj rasteve të keqtrajtimit të shqiptarëve në Greqi lënë shumë për të dëshiruar. Problemet që lidhen jo vetëm me hetimet paraprake në të cilin në rastin konkret kanë munguar, të mendosh që kemi të bëjmë me një plagosje të rëndë.”
Zonja Hysi thotë, se e drejta për apelim është në dorën e Ferhatit të gjymtuar, i cili kërkon dëmshpërblim, por ky i fundit nuk ka besim tek ky gjyq, pasi nga ana e trupit gjykues nuk është pranuar akuza, nuk ishte bërë ekspertiza balistike, mjeko-ligjore, si dhe shumë shkelje të tjera.
Vasilika Hysi: “Hetimi ishte shumë i dobët, pasi nuk kishte këqyrje në vendngjarje, nuk kishte ekspertim mjeko-ligjor, nuk kishte ekspertim balistik të armës, të gëzhojave. Ky proces ka qenë i dështuar që në fillim, shumë veprime që duhet të ishin kryer nuk janë kryer, pra nuk mund të rikthehemi përsëri para dy vjetësh për të mbledhur provat, kur ato prova nuk janë mbledhur.”
Shtetasi 67-vjeçar nga Peqini u qëllua në 8 Mars të vitit 2002 nga rojet kufitare greke. Pas plumbave të marra atij ju hoq veshka e djathtë, si dhe një pjesë e mëlçisë, si dhe është rrahur përpara se të qëllohej nga dy ushtarët grekë./tvklan.al