Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me demokratët në Tropojë. Ky takim është i veçantë për liderin historik të demokratëve, i cili ka vendlindjen në Malësinë e Gjakovë.

Berisha e ka konsideruar udhëtimin drejt Tropojës si “gjysmë qiellor e gjysmë tokësor” duke shtuar më tej se ka pasur fat që ka lindur në Malësinë e Gjakovës.

“Vetvetiu i thashë vetes se njeriu i lirë në vendlindjen e tij është dy herë fëmija i natyrës. Kurse sapo mbërrita tek Hotel Shkëlzeni, Floriana Garo më pyeti, “Doktor si ishte udhëtimi për në Tropojë?” Gjysmë qiellor, gjysmë tokësor iu përgjigja unë asaj. Unë shpesh e shpesh vij me mendjen time më shpesh se kudo në botë vij në vendlindjen time, por edhe më shpesh se çdo gjë tjetër i përsëris vetes çfarë fati të madh pata unë që linda në Malësi të Gjakovës. Sot pas dekadash larg saj, pas dekadash në Tiranë dhe qindra e qindra shëtitjesh nëpër botë  përsëri dua t’ju them se në vendlindjen time, unë kreva universitetin më të rëndësishëm të jetës sime, unë mora diplomën e të gjitha diplomave të jetës sime… në fillimet e memories sime, në familjen time, si në qindra dhe mijëra familje të Malësisë së Gjakovës, Nikajt, Mërturit, Dukagjinit, ekzistonin odat e burrave. Nuk kishte radio, nuk kishte televizor, por të dashur të rinj, e gjithë jeta jonë kalonte nga shkollat tek oda, nga oda tek shkolla. Mirëpo cila ishte e vërteta? E vërteta është që në odë, unë bashkëmoshatarët e mi, mëkoheshim me një dashuri të pafundme për vendin tonë dhe për Kosovën. Kosova për ata burra ishte toka e shenjtë”, tha Berisha./tvklan.al