Mbrëmjen e kësaj të Hëne në “Opinion” në Tv Klan, ministri më i ri i kabinetit qeveritar Blendi Gonxhja foli dhe për postin e tij si nënkryetar i bashkisë së Tiranës në kohën kur këtë të fundit e drejtonte Edi Rama.


Ai u shpreh se situata e përmbytjes në vitin 2002 në kryeqytet (për shkak se u hap diga e Liqenit Artificial) krijoi njëfarë “tensioni” mes Fatos Nanos (asokohe kryeministër) dhe Edi Ramës që mbante detyrën e kreut të bashkisë më të rëndësishme në vend. Për të çtensionuar situatën, Gonxhe shprehet se e pa të mirëqenë të hiqte dorë nga detyra si numri dy i bashkisë.

Këtë dorëheqje e cilëson si një moment që e nderon atë në karrierën politike.

-Pse dhatë dorëheqjen si nënkryetar i bashkisë së Tiranës?

Blendi Gonxhja: Të them një gjë fare të thjeshtë…Vokacioni im i punës gjithmonë më ka bërë që të jem në kokë të punës, edhe me defektet dhe plot problemet që mund të kem unë në mënyrën si punoj me ekipin. Por kam pasur shumë dëshirë të punoja dhe nuk kam pasur asnjëherë qejf që të jem pjesë në delegacione. Unë nuk kam qenë kurrë nëpër udhëtime të gjata, nëpër konferenca, në Kombe të Bashkuara, Kinë, Japoni etj. Një nga arsyet pse gjendesha gjithmonë në Tiranë është se nuk udhëtoja kurrë, pra nuk paradilja. Ngjarja që ka ndodhur, e përmbytjes ka ndodhur duke qenë unë në Tiranë. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen, nuk ka asnjë përgjegjësi konkrete dhe marr një përgjegjësi më vonë morale për ngjarjen. Rikujtojmë se nuk ka pasur asnjë mace të ngordhur për ngjarjen…

-A jua kërkoi Rama dorëheqjen?

Blendi Gonxhja: Ne biseduam sëbashku, dhe menduam se për shkak të situatës që u krijua me Fatos Nanon, i cili ju e dini ka qenë në një situatë tensioni me Ramën. Do ishte më mirë, më çtensionuese që të kishte një hap mbrapa nga një person i rëndësishëm i bashkisë. Unë isha në atë kohë personi më i rëndësishëm i bashkisë pas Ramës, treguam një akt qytetarie. Është një gjë që më nderon në karrierën time politike./tvklan.al