Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Është hapur dje festivali folklorik kombëtar në Gjirokastër. Festa ka nisur që në orën 14:00, kur festivalistë, personalitete të shtetit dhe të ftuar nga e gjithë bota, kanë marrë pjesë në panairin e gatimit të jugut. Në mjediset e mullirit të babit, një lokal tradicional, të gjitha komunat e jugut kanë ofruar për mysafirët gatimet tradicionale, duke nisur nga mishi i pjekur në hell dhe deri tek byreqet tradicionale.
Në orën 16:30 festa është vendosur në sheshin e “Çerçizit”, ku festivalistët nisën interpretimin e këngëve dhe valleve duke bërë pjesë të tyre edhe të ftuarit. Pjesë të tyre është bërë edhe kryeministri Nano, i cili ka mbërritur aty nëpërmjet një porte gjigande të improvizuar.
Në orën 18:30, festivali ka nisur zyrtarisht konkurrimin. Në kala, në skenën e festivalit janë ngjitur grupet e para folklorike. Konkurrimin e ka çelur grupi i qarkut të Kukësit, e më pas ai i Fierit. Pas tyre kanë qenë disa grupe nga zona të ndryshme të Kosovës, e në fund grupi i emigrantëve shqiptarë në Greqi./tvklan.al