Juristja Eni Çobani ka shpjeguar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, se si qëndron çështja e pronësisë të shtëpisë së Klaridës, në të cilën aktualisht jeton ish-bashkëshorti i saj bashkë me familjen e tij.

Sipas juristes, kontrata e pronësisë, e më pas ajo e shit-blerjes është bërë mes ndërtuesit të pallatit dhe Klaridës. Por një muaj pas kontratës së shit-blerjes, nga hipoteka e Vlorës ka dalë certifikata e pronësisë, ku në mënyrë të pashpjegueshme në të gjenden të dy emrat e bashkëshortëve. Në këtë kohë Klarida dhe Amati ishin divorcuar.

“Kontrata në fund është bërë me një zonjë e cila është e divorcuar, pra nuk ka burrë më. Hipoteka, nuk e di nga e ka bazuar, që në bazë të një kontrate shit-blerje të bërë vetëm me njërin nga ish-bashkëshortët, shkon dhe i regjistron me emrin e të dyve”, shprehet mes të tjerash Eni Çobani.

Sipas kësaj të fundit, nëse hipoteka do të ishte vetëm në emër të Klaridës, atëherë ajo do të ishte pronarja e vetme e shtëpisë në fjalë. Në kushtet aktuale, ajo që mbetet për t’u bërë është që t’i drejtohet gjykatës për ta përpjesëtuar vlerën e banesës e që vlerat financiare të ndahet më pas mes dy ish-bashkëshortëve.  


Eni Çobani: Atëherë, edhe njëherë, për ta bërë të qartë për të gjithë publikun. Në 2007-n kemi një kontratë porosie që është lidhur nga Klarida me zotin Tanush, ndërtuesin, investitorin e këtij subjekti. Pas këtij momenti, në 2017-n zoti Tanush bëhet me certifikatë për ndërtimin që ai ka kryer. Në 2019-n, bëhet kontrata e shit-blerjes sërish, sepse shkon kontrata e porosisë dhe kalon pastaj në kontratë shit-blerje. Bëhet po prapë me personin që ka lidhur kontratën e porosisë, mund të ndodhë dhe e kundërta me dëshirën e palëve, por në këtë rast ka vazhduar në atë formë. Në 2019-n kemi kontratën e shit-blerjes midis zotit Tanush dhe zonjës Klarida, këtu prezente. Më pas, mbas 1 muaji të kontratës shit-blerjes, kemi një certifikatë në hipotekë të Vlorës, ku janë vendosur të dy emrat.

Ardit Gjebrea: Kush e ka tërhequr certifikatën?

Eni Çobani: Klarida. Tani, në këto kushte, unë edhe njëherë po e përsëris, e keni filluar të martuar këtë banesë dhe në momentin kur certifikimi është bërë, keni qenë të divorcuar. Atëherë është dashur që nga firma ndërtuese dhe nga noteria që ka kryer të gjitha veprimet, të vihesh në dijeni për vendimin e divorcit tuaj dhe statusi ligjor i juaji në atë moment, ka qenë i ndryshëm nga momenti i kontratës së porosisë. Pra në kontratë të porosisë keni qenë bashkëshortë, në kontratën e shit-blerjes nuk jeni më të tillë. Atëherë, noteria bashkë me ndërtuesin duhet të kërkonte me insistim ardhjen e zotërisë tjetër, i cili tanimë nuk është bashkëshorti juaj, është një qytetar tjetër. Në këtë moment duhet të thuhej: “Zotëri, ju do firmosni në këtë kontratë që më pas të shkojë dhe të hipotekohet, apo jo?” Kjo gjë nuk e di nëse ka ndodhur dhe ç’përgjigje është marrë, prandaj i drejtohem noteres dhe subjektit. Por, kontrata në fund është bërë me një zonjë e cila është e divorcuar, pra nuk ka burrë më. Hipoteka, nuk e di nga e ka bazuar, që në bazë të një kontrate shit-blerje të bërë vetëm me njërin nga ish-bashkëshortët, shkon dhe i regjistron me emrin e të dyve. Sepse Ardit, në këtë moment, zotërisë, nëse ne i trokasim në derë dhe i themi: “Zotëri, liro banesën”, ai thotë: “Unë jam bashkëpronarë. Shko në gjyq, pjesëtoje, dhe hajde merre”. Në qoftë se kjo do të ishte bërë vetëm me emrin e Klaridës, vetëm me një titull ekzekutiv, Përmbarimi i Vlorës kishte nxjerrë menjëherë zotërinë nga banesa dhe i kishte bërë dorëzimin zonjës që kemi këtu prezente. Ky është problemi që ka lindur dhe ky do të jetë një problem dhe në vazhdim. Sepse kjo zonja sot, nuk e bën dot menjëherë titull ekzekutiv, por do ta pjesëtojë në gjykatë, do nxjerrin vlerat financiare të njërit dhe të tjetrit, do shikojmë kontributet që janë dhënë në këto vite dhe plus, ai zotëria do thotë: “Kam hyrë që në 2010-n në këtë banesë, jemi në 2024-n. Tani, çfarë kërkon zonja për të marrë nga kjo banesë, kur unë këtu jam banor prej 14 vitesh?” Pra ky është një problem shumë i madh që i ka dalë Klaridës. /tvklan.al