Besniku një baba krenar për vajzën e tij ka ardhur t’i bëjë një surprizë për ditëlindjen e saj. Ai ka treguar se Rajmonda ka pasur një fëmijëri të vështirë sepse ishin të varfër, nuk kishte lekë që t’i blinte rroba për shkollën dhe nuk ia ka festuar ditëlindjen për shkak të kushteve. Besniku tregon dhe një rast që i ka ngelur peng për të gjithë jetën. Hera e vetme që vajza i kishte kërkuar diçka ishte në moshën 6 vjeç kur kishte parë një arush, por nuk mundi t’ja blinte dot. Për ditëlindjen e saj, ai i ka blerë arushin dhe një tufë me trëndafila për t’i kërkuar falje.
Besniku: Punoi në shkollë të mesme, punoi në shkollën e lartë dhe pa mbaruar shkollën e mesme e martova.
Ardit Gjebrea: Si ta bëri zemra?
Besniku: As vetë nuk e di, edhe dritat në shtëpi nuk më dukeshin sikur ndriçonin njësoj sikur ishte Rajmonda. Edhe sot e kësaj dite kur hyj në shtëpi më duket bosh.
Ardit Gjebrea: Tani më trego çfarë është ky arush, se lutet i kuptoj, po arushi është për të vegjël, ajo tashmë është martuar.
Besniku: Ishim tek Stacioni i Trenit, po vinim nga dajat e Mondës kur ajo ishte diku tek 6-7 vjeç. Përballë stacionit të autobuzave është një dyqan që shiten arusha dhe i thotë nënës së vetë që dua një arush duke qarë. Ishte rasti i parë dhe i fundit sepse nuk ka kërkuar më asnjë gjë mbas asaj dite. E mori nusja me përkëdheli dhe e solli tek shtëpia, nuk ia blemë sepse nuk kishim kushte. Më ka bërë shumë krenar, është shumë e sjellshme. I ka ngelur në mendje që nuk ia kam blerë atë arushin dhe tani para dy muajsh ma ka kujtuar, më tha o bab a të kujtohet puna e arushit tek Stacioni i Trenit?
Rajmonda bëhet pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe kur e kupton se e ka ftuar i ati, ajo shpërthen në lot. Babai i kërkoi falje vajzës që nuk ia kishte plotësuar kushtet ashtu siç duhej prej varfërisë, ndërsa vajza mes lotëve thotë se është rritur në një familje që çdokush ose çdo fëmijë i pasur do donte të rritej sepse elementi kryesor që e formon njeriun është dashuria, respekti dhe rregulli që nuk i ka munguar kurrë kjo gjë në familje. Rajmonda shprehet se i ati duhet të ndihet shumë krenar dhe jo fajtor sepse e ka edukuar në mënyrën më më të përsosur. Sipas saj nuk janë vlerat materiale të cilat të japin forcë, guxim dhe energji./tvklan.al