Azemi dhe Klesta, babai dhe shoqja e Jehonës hynë në “Ka Një Mesazh Për Ty” me atlete dhe një top futbolli në duar. Dy objektet simbolizojnë një ëndërr të madhe të Azemit që sot është realizuar përmes vajzës së tij. Ai nis të tregojë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se qëkur kryente shkollën e lartë në Shkodër dhe shkonte të ndiqte ndeshjet, ëndërronte që një nga fëmijët e tij të ishte në fushën e blertë.

Azem: Ëndrra ishte që një nga fëmijët  e mi të bëhej futbollist.

Ardit Gjebrea: Dhe ti sa fëmijë ke?

Azem: Dy çuna dhe Jehonën.

Ardit Gjebrea: Kur thua “një nga fëmijët e mi” mendoje për dy çunat”, s’mendoje për vajzën.

Azem: U bë Jehona futbolliste.

Qëkur Jehona ishte e vogël, babai dhe vëllezërit e merrnin të luante me ta dhe kështu nisi pasioni i saj për futbollin. Momenti që do të përcaktonte rrugëtimin e saj do të ishte një episod i “Ka Një Mesazh Për Ty” disa vite më parë, ku protagoniste ishte Cyme Lulaj.

Azem: Historia e futbollit te ky televizion ka lindur, tek “E Diela Shqiptare”. Në vitin 2017 duke ndjekur “Kam Një Mesazh Për Ty”, këtu paraqitet Cyme Lulaj.

Ardit Gjebrea: E mbaj mend shumë mirë Cymen.

Azem: Dhe unë nuk e dija që në Shqipëri kishte një kampionat vajzash të them të drejtën, por duke nxjekur emisionin, Jehona e kishte parë me vëmendje dhe pas emisionit, i kishte shkruar në Facebook-un tim që “a mund të takohemi?” dhe pas dy ditësh më telefonin Cymja dhe më thotë “jam filania, më ka shkruar Jehona për futbollin, a je dakord që të vini e të provohet vlen apo s’vlen?”

Ardit Gjebrea: Ti nuk dije gjë fare.

Azem: Jo, unë nuk e dija.

Disa muaj më vonë, Cyme Lulaj bën të mundur federimin e Jehonës në ekipin e Kinostudios dhe nga ai moment, vajza u zhvendos në Tiranë. Megjithatë, jo të gjithë familjarët ishin dakord.

Azem: Fillimisht, unë isha dakord, unë isha me Jehonën ndërsa bashkëshortja dhe çuni i madh jo.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Azem: Jo, s’është futbolli për vajza, e kemi larg nga shtëpia. Por sidoqoftë, Jehona ia doli vetë.

Ardit Gjebrea: Cila ishte pritshmëria jote në momentin që Jehona filloi në këtë rrugë?

Azem: Jehona është një vajzë shumë luftëtare, ka vullnet të jashtëzakonshëm sepse ne atje jetojmë  në fshat, kurse fëmijët jetojnë në Tiranë, gjithçka me forcat e veta, as ndërhyrje në mënyrë absolute, ka ndjekur gjithçka të kombëtares nga U-15 deri tani vetë./tvklan.al