Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Detin më të bukur të Shqipërisë e gjen në Sarandë. Kjo është këshilla që turistëve të huaj në Shqipëri u bie të dëgjojnë më shpesh.

Peizazhi i mrekullueshëm dhe ujërat e pastra dhe të kthjellëta të Jonit, bëjnë që plazhi i Sarandës të mbetet një ndër më të preferuarit jo vetëm nga të huajit, por dhe nga vetë shqiptarët, të cilët gjejnë gjithnjë e më shumë jugun, si mjaft të përshtatshëm për të kaluar pushime të mbara. Saranda është si gjithmonë një nga destinacionet më të preferuara.

Ministria e Turizmit pohon se këtë vit numri i turistëve që kanë zgjedhur bregdetin e Jonit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Të huajt që rikthehen atje gjejnë çdo vit ndryshime të reja, në pjesën më të madhe të rasteve mjaft të këndshme dhe befasuese. Akomodimi tashmë ka marrë përmasa gjithnjë e më Europiane. Hotelet janë të shumtë, duke filluar nga më të thjeshtët e deri tek më luksozët.

Ai që spikat në mënyrë të veçantë është pa dyshim hotel Butrinti, për të cilin flitet shumë dhe me të drejtë. Për të dytën herë, hoteli i vetëm me 5 yje i bregdetit jugor shqiptar është radhitur ndër 100 hotelet më të mira të botës, duke justifikuar plotësisht famën e tij. Edhe për vitin 2004, ky hotel ka sjellë në Shqipëri trofenë e artë europiane për cilësi dhe prestigj tregtar.

Diploma dhe kupa përkatëse i janë dorëzuar përfaqësuesit të hotel Butrit nga presidenti i shoqatës Other Ways Management and Consulting, me qendër në Gjenevë, gjatë një ceremonie të organizuar në Paris, një stimul më shumë për të qenë ndër më të mirët./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj