Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka dalë në një konferencë për mediat. Ai tha se qeveria e tij do të vazhdojë të kryejë detyrën.
Ai u shpreh se do të kujdeset që asnjë punë të mos mbetet mbrapa derisa të vendoset për qeverinë që do të ketë mandat të plotë. Ai bëri thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti i vitit 2021.
“Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se bazuar në parimin e sigurisë juridike dhe faktin që ky aktgjykues nuk ka fuqi prapaveprues dhe vendimet e kësaj qeverie mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Është obligim kushtetues që të shpallim datën e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona tashmë në rrethana të reja. Dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët tanë që po punojmë se do të jemi në krye të detyrës për tu marrë me obligimet qe i kemi karshi qytetarëve të vendit sidomos në menaxhimin e situatës për pandeminë për të cilët kemi treguar rezultate të mira. Kemi përpara një punë të rëndësishme që është buxheti 2021. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021”, tha Hoti.
Kryeministri në detyrë nuk komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimin e kam parë mbrëmë në orët e vona. Unë i pranoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa i komentuar fare”, tha Hoti./tvklan.al