Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, kthye të premten nga Nju Jorku, ndërsa njohjet për shtetin e Kosovës, kanë mbetur të vijnë më vonë.
Këtë e tha vetë Hyseni, i cili me optimizëm foli për takimet e tij gjatë dy javëve sa qëndroi në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Skënder Hyseni: “Ka shenja më se të sigurta nga 4-5 vende pa i përmendur ato se njohja mund të ndodh shpejt.”
Duke pohuar se pa dyshim që shumë vende do ta njohin Kosovën, ai tha se problem është vetëm koha kur do të ndodh kjo.
Në konferencën për shtyp në Aeroportin e Prishtinës, ai u ndal më së shumti te takimi me homologun e tij irakian, Hoshvar Zabari.
Ky i fundit, ka arsyetuar se njohja po vonohet vetëm si pasojë e problemeve të brendshme të Irakut.
Ndryshe në aeroportin e Prishtinës, të premten arriti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili bashkë me disa deputet ishte në vizitë në Finlandë.
Përveç takimeve me autoritetet e Helsinkut, ata takuan edhe ideatorin e pavarësisë së Kosovës, ish-presidentin finlandez, Marti Ahtisari./tvklan.al