Prindërit shqiptarë të 23-vjeçarit me aftësi të kufizuara që humbi jetën si pasojë e temperaturave të larta, janë liruar nga burgu. I riu ndodhej në një makinë në Amarynthos të Evias kur pësoi një goditje nga nxehtësia e madhe. Ngjarja e rëndë që ndodhi para 3 ditësh, çoi prindërit e 23-vjeçarit në pranga.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat greke, prindërit e 23-vjeçarit tanimë janë liruar nga qelia dhe u lanë në masën “detyrim paraqitje”. Të shkatërruar emocionalisht, ata mohuan që të kishin lënë djalin e tyre qëllimisht në makinë, ku dhe u ekspozua nga temperaturat ekstreme.

Vasileia Oikonomou, avokatja e familjes tha se babai nuk e kuptoi fare që fëmija i tij kishte ndonjë problem, pasi i riu ishte në një makinë me xhama të ulur.

Prindërit kanë qëndruar për 3 orë në zyrën e hetimit, ku kanë kërkuar falje duke u shprehur se nuk kanë përgjegjësi për vdekjen e djalit të tyre. Mes të tjerash, ata pohuan se i biri i tyre shfaqte shenja dobësie, por komunikonte normalisht.

Prindërit pretenduan se koha e transportit të tij në Spitalin e Kalkidës nga Qendra Shëndetësore në Evia, ishte ajo që i kushtoi 23-vjeçarit jetën./tvklan.al