Pasi arriti t’i qëndronte larg drejtësisë për afro 9 vite, i shumëkërkuari Jani Aliaj, i dënuar si vrasësi i Elton Çiços në Tiranë në Maj 2016, u arrestua në kryeqytetin e Greqisë.

Policia e Shtetit tha këtë të premte se e kishte gjurmuar nëpërmjet Departamentit të Policisë Kriminale dhe arrestimi ishte bërë në Athinë nga autoritetet greke në mënyrë që të ekstradohet në Shqipëri.

Aliaj i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Elton Çiços në Tiranë në Maj 2018, 2 vite pas vrasjes që në atë kohë tronditi kryeqytetin.

Në 1 Maj të 2016-ës, Aliaj i veshur me rroba sportive dhe një kapele në kokë, u fut në një lokal në ish-Bllok dhe qëlloi me 2 plumba në kokë Çiçon, i cili ishte në prani të Redian Rrajës, edhe ky tashmë një i dënuar përjetë dhe e personave të tjerë.

Ai u identifikua nga hetuesit nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe një bishti cigareje që kishte pirë pak para se të hynte në lokal për të kryer vrasjen. Te cigarja hetuesit gjetën material me të cilin ndërtuan profilin e AND-së që rezultoi të ishte i përputhshëm me të Aliajt.

Ngjarja referuar hetimeve ishte pasojë e një hasmërie të vjetër të lindur në Greqi, aty ku të dy kishin qendrën e aktivitetit kriminal dhe kishin qenë në të njëjtin burg.

Rrahja e mikut të ngushtë të Çiços në këto qeli konsiderohet si zanafilla e dy atentateve që ky i fundit i kishte përgatitur Jani Aliajt, por që dështuan.

Ndërkohë, gjatë viteve të arratisë, ndaj Jani Aliajt, dënimi me burgim të përjetshëm nuk është i vetmi që është marrë. Në qershor të 2023, Gjykata e Posaçme i konfiskoi atij 7 pasuri si subjekt i OFL-së.

Tv Klan