Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pas rasteve të fundit të vrasjeve brenda familjeve shqiptare, Ministri i Rendit Igli Toska, ka kërkuar nga policia, prokuroria, institucionet shtetërore dhe komuniteti, të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar krimin në familje.
Igli Toska:- “Ngjarjet e fundit të vrasjeve në familje argumentojnë se sa e rëndësishme është njohja e situatës në fshat, në lagje, në komunë, sa e domosdoshme është informimi dhe bashkëpunimi reciprok, pushtet vendor-polici”.
Këtë kërkesë dhe iniciativën për të ulur krimin që përfshin shoqërinë shqiptare, ministri Toska e ka bërë në Vlorë, në një tryezë me përfaqësues të shtetit, OJQ dhe komuniteteve fetare. Konkretisht janë prezantuar mundësi për bashkëpunim, për një shoqëri me sa më pak kriminalitet.
Tryeza e iniciuar nga Ministri i Rendit, realizohet në qytetin e Vlorës dy muaj pas tragjedisë së rëndë të 9 Janarit. Për mikrofonin e TV Klan Toska deklaron, se nuk do të ketë më trafik njerëzor në brigjet e Vlorës, por pranon se ka vend për të analizuar faktin, se trafiku i qenieve është zëvendësuar me trafikun e narkotikëve.
Igli Toska:- “Trafiku i qenieve njerëzore nga Shqipëria, jo vetëm nga brigjet e Vlorës është zero”.
Gazetarja: Francesco Mandoi në vizitën e fundit në Shqipëri tha, se trafiku i qenieve njerëzore është zëvendësuar tashmë nga brigjet shqiptare me trafikun e lëndëve narkotike. A ka të dhëna Ministria e Rendit për këtë?
Igli Toska:- “Kjo është një çështje delikate, kërkon analizim dhe shpresoj që strukturat e rendit të japin përgjigje të specializuar për këtë”.
Suksesin e operacione kundër trafikut dhe drogës, ministri i lidh ngushtë dhe me spastrimin e radhëve blu nga të inkriminuarit, reformë kjo për të cilën Toska ka marrë përsipër ta realizojë deri në fund të këtij viti.
Igli Toska:- “Nuk mund që të rrinë më në policinë e shtetit ata oficerë, të cilët fshehin provat, nuk bashkëpunojnë me drejtësinë, që abuzojnë me detyrën, apo ata që e shohin policinë e shtetit, si ndërmarrje fitimprurëse. Këta oficerë nuk kanë më vend në polici, por kanë punë me drejtësinë”./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj