Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar Enver Roshin si kandidatin e saj për deputet në qytetin e Gramshit.
Në një takim me qytetarë e simpatizantë kryetari Meta kërkoi votat e zgjedhësve për një qeveri të së majtës progresiste, siç u shpreh ai, duke kritikuar në këtë mënyrë politikën e ish-aleatit Rama për një qeverisje përtej së majtës e të djathtës, por në fjalën e tij nuk kanë munguar kritikat as për kreun e mazhorancës.
Ilir Meta: “Më 29 Qershor të jeni të sigurt se nuk do të ketë as qeveri përtej të majtës e të djathtës. Do të ketë një qeveri të majtë progresiste dhe që do të vë interesat kombëtare në plan të parë. Votat që ne kërkojmë nga populli i Gramshit do të shkojnë vetëm për një qëllim, që në 28 Qershor Sali Berisha të dalë një herë e përgjithmonë në pension politik.”
Meta foli gjithashtu edhe për atë çka do të ofrojë qeverisja e LSI-së pas zgjedhjeve të 28 Qershorit duke vënë theksin në punësimin e shqiptarëve dhe tek politikat që do të ndjekë kjo qeverisje për të rimëkëmbur ekonominë e sidomos bujqësinë.
Ai premtoi gjithashtu tatim zero për çdo biznes të ri që krijohet për tre vitet e para dhe lehtësira për bizneset ekzistuese për çdo vend të ri pune që hapin./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe