SPAK ka nisur këtë të Enjte seancën për komunikimin e akuzave sa i takon dosjes së Inceneratorit të Elbasanit. Për rrjedhjojë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është marrë për herë të dytë si i pandehur.

Gazetarja Glidona Daci raportoi nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme se janë kërkuar disa urdhërarreste, mes tyre dhe për Ahmetajn. Ky i fundit ndodhet në arrati prej disa muajsh.


“Në orën 14:00 janë thirrur avokatët e Ahmetajt, të cilëve do t’ju komunikohen akuzat zyrtare lidhur me këtë procedim penal”, bëri me dije gazetarja.

Ahmetaj është nën hetim për veprat penale “pastrim parash”, korrupsion në 6 raste dhe “fshehje pasurie”. Gjatë hetimeve rezultoi se ai ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët e inceneratorëve. Më herët Ahmetaj është marrë i pandehur për ­çështjen e “Buka sha”, ku dyshohet edhe për abuzim me fondet publike.

Për procedimin e sotëm penal përmenden edhe emra të tjerë si Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Kujtojmë se ish-zv/kryeministri ka reaguar herë pas here në rrjetet e tij sociale duke thënë se nuk ka kryer asnjë nga veprat penale për të cilat akuzohet./tvklan.al