Seanca e parlamentit e së enjtes nisi me kërkesën e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi për thirrjen në interpelancë të Kryeministrit Edi Rama për ekzekutimin e pagesës 110 milionë euro të shtetit shqiptar, për biznesmenin italian Francesco Becchetti.

“Thërrisni kryeministrin dhe të realizojmë interpelancën si një e drejtë që na e njeh kushtetuta. Çështja është madhore, ka patur zotim publik të kryeministrit që ky biznesmen nuk do marrë asnjë lek nga buxheti i shtetit. E vërteta është se ai ka marrë më shumë se fondi që keni planifikuar për bonusin e pensionistëve. Do mjaftonte ajo shumë që të parashikonim të njëjtin bonus për vitin 2025”, tha Bardhi.

Nuk ka vonuar përgjigja e Kryeministrit Edi Rama, i cili në një reagim të gjatë në rrjetin social X, shprehet se kjo e ashtuquajtura kauzë e opozitës shfaqet sa herë Shqipëria është në prag të zgjedhjeve.

“Më thonë që Gazment Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!  Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike”.

Ndërkohë Rama i cilëson si shpifje deklaratat e opozitës se shteti shqiptar po paguan gjobën 100 milionë euroshe ndaj biznesmenit italian Becchetti, duke hedhur helm pikërisht përpara zgjedhjeve të reja.

“Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!”

Por Rama thekson se do t’i përgjigjet interpelancës së Bardhit, vetëm me një kusht, e ai lidhet me çështjen hetimore që është hapur nga SPAK për akuzat për shpifje ndaj opozitarit, për akuzat e ngritura ndaj vëllait të tij Osli Rama si i lidhur me çështjen Xibraka.

“Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazment Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës,  që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare.  Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazment Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazment Bardhi!”

Për çështjen Becchetti, opozita pretendon se biznesmeni italian ka fituar çështjen Arbitrazhin Ndërkombëtar, por qeveria thekson se beteja ligjore po vijon edhe në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Tv Klan