Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Osmo Lipponen, kryetari i prezencës së OSBE në Shqipëri, për herë të parë ka bërë publik qëndrimin e tij për problemin që hasin dy partitë e mëdha politike në vend, mbi balancimin e përmbajtjes së KQZ, si dhe në ndryshimet teknike për policinë në procesin zgjedhor të 12 Tetorit.
Osmo Lipponen:- “Të gjendet ekuilibri si në KQZ dhe në të gjithë procesin elektoral. Pa konsensus nuk ka më besim për zgjedhje të lira, si dhe vihet në rrezik, ajo frymë e re që ne krijuam mes partive politike. Nëse nuk arrihet zgjidhja për çështjen kryesore, me ç’kam dëgjuar flitet për një KQZ të paekuilibruar, çështjet e tjera, si vonesa e financimit, apo policia, shndërrohen në probleme të mëdha”.
Ambasadori Lipponen thotë, se në ligjin për policinë e shtetit, nuk është operuar me konsensus nga partitë parlamentare. Kjo solli nevojën për ndryshime në mes të fushatës elektorale, gjë që duhet të ishte kontrolluar më përpara. Osmo Lipponen uron që parlamenti të gjejë zgjidhjen, duke garantuar asistencën e OSBE-së për përmirësimin e kodit, pas zgjedhjes së vjeshtës 2003.
Sistemi zgjedhor duhet ndryshuar sërish për dy arsye, tha Lipponen. Së pari për të zgjidhur problemet e financimit në kohë të partive politike, duke ndryshuar dhe disnivelin në fonde mes asaj partie që ka marrë 51% me atë që ka përfituar vetëm 49 % të votave të përgjithshme, si dhe problemi i dytë është rritja e rolit të grave të cilat humbasin me sistemin mazhoritar.
Osmo Lipponen:- “OSBE asistoi komisionin bipartizan pozitë-opozitë, por garancinë e kodit zgjedhor e jep vetëm parlamenti dhe qeveria shqiptare. Ky kod nuk u bë vetëm për të kënaqur dy partitë kryesore, pas kontestimeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, por u ndërtua mbi standardet europiane. Problemi qëndron se ai nuk është kuptuar ashtu si duhet, sidomos në nivelin lokal”./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj