Humbja 8-1 e flamurtarit në Skoci ndaj Motherwell ka një shpjegim. Sokol Kushta, një ish futbollist I kësaj skuadre dhe i ekipit kombëtar, tregon se fajin e ka formacioni sulmues i ndërtuar për të përballur skocezët në fushën e tyre.

Sokol Kushta: “Mu duk shumë çudi si mund të vejë Flamurtari për të mbrojtur një rezultat dhe të lozi me tre sulmues. Është e pamundur që një ekip debutues, me një 0 të vejë me një formacion të tillë, kur mund të lozi me kundërsulm.”

Kushta, një prej futbollistëve të brezit të artë të flamurtarit nuk arrin as ta konceptojë idenë e shitjes së një ndeshjeje futbolli. Por ai pranon se rezultati I takimit të djeshëm I ka vënë një njollë Flamurtarit që do ta ndjekë gjatë në histori.

Sokol Kushta: “Ndodhin shitje-blerje po të lësh një ndeshje për 8 gola, një njollë që Flamurtari punoi rreth 20 e ca vjet për të vënë një dinjitet dhe tani të mbahet mend që jemi rrahur 8-1. Kjo është një njollë që nuk hiqet me lek, kjo është një njollë që futbollit shqiptar dhe atij vlonjat do t’i ngelet në histori.”

Sipas tij ekipet shqiptare duhet tu nënshtrohen analizave të thella teknike. Mbajtja e statistikave të performancave të futbollistëve, apo siç quheshin “normat” një praktikë e kohës së regjimit të shkuar në Shqipëri, do të ishte efikase, pasi do të tregonte qartë nivelin e futbollistëve shqiptarë.

Sokol Kushta: “Pse nuk bën një analizë teknike federata po thotë një rezultat i turpshëm. Pse nuk bën një analizë, federata është gjithmonë e interesuar vetëm kur di rezultatin, pse nuk i interesohet në sektorin teknik, çfarë ndodh në futbollin shqiptar. Përse ne nuk konkurrojmë dot me futbollin botëror ose atë evropian.”

Rezultati i habitshëm 8-1 pas fitores në Vlorë nuk është kapërdirë as nga banorët e qytetit.

“Çfarë të them unë, është turp i madh. Për Flamurtarin dhe për Shqipërinë dhe për më tepër dhe për tifozët e Vlorës, për vlonjatët.”

“Po s’është Flamurtari i Vasil Rusit ai është tjetër Flamurtar.”

Gazetarja: “Është e turpshme?”

“Skandaloze.”/tvklan.al