Fëmijët e 71-vjeçares Gisèle Pelicot kanë dalë para gjykatës dhe kanë rrëfyer “shkatërrimin” që pësuan kur mësuan se babai u kishte droguar nënën dhe kishte lejuar dhjetëra burra ta përdhunonin, ndërsa iu lutën që të tregonte të vërtetën nëse kishte abuzuar me anëtarë të tjerë të familjes.

David Pelicot, djali më i madh i çiftit tha se e besonte motën e tij, Caroline Darian, 45 vjeçe që thotë se ndihet e sigurt që edhe ajo është droguar e abuzuar nga i ati pasi në kompjuterin e tij u gjetën foto të sajat  ë gjumë dhe e veshur me të brendshme që nuk ishin të vetat.

Duke u kthyer drejt të atit, 50-vjeçari i tha: “Nëse të ka mbetur sadopak njerëzi, trego të vërtetën se çfarë i ke bërë sime motre që vuan çdo ditë dhe do të vuajë gjithë jetën”.

Nga mbrapa xhamit, Dominique Pelicot bërtiti duke thënë se nuk kishte abuzuar kurrë me vajzën apo nipërit e mbesat. Ai kërkoi falje nga i biri që iu përgjigj: “Kurrë”.

David Pelicot tha se jeta e tij dhe e familjes “u shkatërrua” kur hetuesit gjetën videot e përdhunimeve të shumëfishta të së ëmës pas arrestit të babait, raporton The Guardian.

Ai tha se u ndie “sikur toka i rrëshqiti nën këmbë” dhe kishte vjellë disa herë kur e mori vesh. Më pas shkoi bashkë me  motrat e vëllezërit për të boshatisur shtëpinë ku kishin jetuar prindërit duke e quajtur “shtëpia e tmerrit”. Ai tha se kishin vënë re “mungesën” e dukshme të së ëmës gjatë bisedave dhe mendonin se kishte Alzheimer ose tumro në tru. “Mendova se do ta humbja”.

Dominique Pelicot është nën akuzë edhe për fotografitë e vajzës, Darian dhe bashkëshortet e djemve ku ato gjenden të zhveshura. Fotografitë e këtyre të fundit u zbuluan gjatë hetimit dhe mendohet se janë shkrepur përmes kamerave të fshehura në tualet e dhomat e tjera.

David Pelicot tha se edhe gruaja e tij ishte fotografuar lakuriq, edhe kur ishte shtatzënë.

“Kur zbulova se gruaja ime, shtatzënë me binjakët ishte fotografuar dhe nuk e di se sa foto janë, dua të të pyes: ‘Si mund ta bëje diçka të tillë?’ Pyes veten pse, cili ishte qëllimi. S’mund t’i përgjigjem asaj pyetjeje. Por e kuptoj që ai burrë ngjiti shkallët e fantazisë me një dhunë që e kishte pasur gjithnjë brenda vetes”, i tha të atit.

Vajza e Dominique dhe Gisèle Pelicot, Darian deklaroi: “E di që u drogova. S’është supozim, është realitet. E di.” Ajo u shpreh se i vetmi ndryshim mes saj dhe së ëmës është se në rastin e kësaj të fundit kishte prova “të prekshme” dhe “që s’mund të zhdukeshin”. Darian ka kriujr një fondacion për  të ndërgjegjësuar për drogërat dhe përdhunimin që francezët të përballen me problemin dhe viktimat të kenë zë. Ajo tha se ndihej “e padukshme dhe e harruar” në këtë çështje.

Florian Pelicot, djali i vogël i ish-çiftit Pelicot, 38 vjeç tha: “Të mësoja se im atë është një nga kriminelët më të mëdhenj në 20 vitet e fundit – si e merr veten pas kësaj?” Duke u drejtuar nga i ati, tha: “Ke thënë gjithnjë që nëna jonë ishte një shenjtore, por ti ishe djalli vetë”.

Më pas ai kujtoi disa momente të dyshimta siç ishin rastet kur përgjigjej i ati në celularin e së ëmës. Gjatë pushimeve kur po hanin darkë dhe po pinin verë, ai thotë: “Pashë nënën time të hutohej, sikur s’ishte më – ishte tërësisht e turbullt, shihte drejt… e pyeta mami a je mirë? Ba, ka ndonjë problem? Ai u ngrit në këmbë dhe tha ‘do ta çoj në shtrat’. Ne shkuam në shtëpi. Por imagjino sikur të kisha harruar diçka dhe të isha kthyer në shtëpi, ç’do të kisha gjetur? Ai kishte planifikuar t‘i bënte atë që tani dimë”.

Florian shtoi se e kishte vënë re që i ati “ishte në siklet” dhe “djersiste” nëse ai ulej në kompjuterin e tij.

Ish-gruaja e tij, Aurore që gjithashtu ishte fotografuar nga Dominique përmes kamerave, rrëfeu në gjykatë se ishte abuzuar nga gjyshi i saj, një xhandar kur ishte fëmijë dhe e kuptonte rëndësinë e këtij gjyqi. “Ajo që dua të them sot është të pyes: si arritëm në këtë situatë? Si mundet që njerëzit të bëjnë gjëra të tilla?”/tvklan.al