Dominique Pelicot, 71-vjeçari francez që akuzohet se drogonte gruan e tij për ta vënë në gjumë dhe ta shfrytëzonte duke lejuar dhjetëra burra të abuzonin me të për 10 vjet, ka pranuar të gjitha akuzat ndaj tij përpara gjykatës. Kjo është dëshmia e tij e parë që prej hapjes së gjyqit më 2 shtator.

Duke iu referuar 50 të pandehurve të tjerë që janë të akuzuar për përdhunimin e  ish-gruas së tij tashmë, Gisèle, Pelicot tha:

“Unë jam një përdhunues si të tjerët në këtë dhomë. Ata të gjithë e dinin”, s’mund të thonë të kundërtën”.

Shumë prej të pandehurve e kanë kundërshtuar akuzën e përdhunimit pasi deklaruan se mendonin që po merrnin pjesë në një lojë seksi me miratimin e palëve. Por Gisèle Pelicot i tha gjykatës se nuk ishte kurrë “bashkëpunëtore” në aktet seksuale dhe nuk ishte shtirur kurrë se po flinte.

Sa i përket ish-gruas, Dominique u shpreh: “Ajo s’e meritonte këtë. Isha shumë i lumtur me të”.

Gisèle pati mundësinë që t’i përgjigjej duke i thënë:  “E kam shumë të vështirë që ta dëgjoj këtë. Për 50 vite, jetova me një burrë që s’e kisha imagjinuar kurrë se do të ishte i aftë ta bënte këtë. I besoja plotësisht”.

Pas zbulimit të së vërtetës, Gisèle mësoi se kishte 4 sëmundje të transmetuara seksualisht.

Pelicot rrëfeu në gjykatë traumat e fëmijërisë dhe tha se ishte abuzuar nga një infermier kur ishte 9 vjeç. Kur u pyet për martesën e tij, ai tha se mendoi vetëvrasjen kur zbuloi se ajo kishte një lidhje tjetër. Ai donte që ta përplaste makinën pas disa pemëve, por s’kishte kurajë. “Ndoshta duhet ta kisha bërë”, shtoi 71-vjeçari.

Më pas, ai shprehu ndjenjat për Gisèle dhe tha se ishte “i çmendur për të… e doja pafundësisht dhe e dua ende. E desha si duhet për 40 vite dhe gabimisht për 10”, shtoi duke iu referuar dekadës përgjatë së cilës e drogonte dhe abuzonte.

Ai u pyet edhe për videot që kishte filmuar ku shiheshin burra të ndryshëm që abuzonin me gruan e tijtë pavetëdijshme.  Videot u gjetën nga hetuesit dhe ishin thelbësore për të gjurmuar 50 të pandehurit që akuzohen për përdhunim.

Pelicot  tha se i kishte filmuar pjesërisht për “kënaqësi”, por edhe për “siguri, sepse sot është falë videove që kanë mundur të gjejnë personat që morën pjesë”.

Më pas, ai u pyet nga një prej avokatëve të Gisèle, Stéphane Babonneau që kërkoi të dinte pse ai nuk  e kishte vullnetin për të ndaluar abuzimin edhe kur asaj iu shfaqën probleme shëndetësore. Në seancat e mëparshme, Gisèle tha se ishte e shqetësuar se kishte Alzheimer ose tumor në tru për shkak të rënies së flokëve, peshës dhe problemeve me kujtesën. Në të vërtetë, këto ishin efektet anësore të ilaçeve që i jepte i shoqi.

“U përpoqa të ndaloja, por fiksimi im ishte më i fortë, nevoja po rritej. Po përpiqesha ta bindja, tradhtova besimin e saj. Duhet t’i kisha dhënë fund më herët, në fakt nuk duhet ta kisha nisur fare”.

Pelicot akuzohet  edhe për drogimin dhe abuzimin e së bijës, Caroline pasi në laptopin e  tij u gjetën foto të sajat gjysmë-lakuriq. Ai e kishte mohuar këtë më parë, ndërsa gjatë së martës deklaroi se kurrë nuk i kishte prekur nipërit. “Mund ta shoh familjen time në sy dhe t’u them se nuk ndodhi asgjë tjetër”.

71-vjeçari shtoi se gjithçka nisi në 2010 kur njohu një infermier në internet që i sugjeroi ta drogonte të shoqen me qetësues, i shpjegoi si ta përdorte dhe postonte foto të grave të droguara.  “Kështu nisi. Çdo gjë filloi aty”.

Avokatja e tij, Béatrice Zavarro tha për mediat franceze se nuk e di se çfarë mendojnë njerëzit për klientin e saj, por ai po thoshte “të vërtetën e tij”. Sipas saj, Pelicot është “shumë i shtypur” dhe pavarësisht se ajo nuk e di se ç’do të bëjë ish-gruaja me kërkesën e tij për falje, “rrëfimi po ndodh dhe do të vazhdojë. Ne do t’i shkojmë deri në fund këtij gjyqi dhe do të mësojmë gjithçka për Dominique Pelicot”.

Dominique Pelicot, i cili u diagnostikua me infeksion dhe gurë në veshka, nuk ishte prezent në gjykatë për thuajse një javë. Ai do të paraqesë dëshminë e tij përgjatë  kësaj dite dhe do t’i lejohen pushime të vazhdueshme.

Gjyqi, i cili po mbahet në Parc des Expositions në Avignon në Francën jugore, do të zgjasë deri më 20 dhjetor. Kamerat nuk lejohen,  por gjyqi është i hapur sipas kërkesës së Gisèle Pelicot që nuk pranoi të drejtën e anonimatit. Ndërkaq policia ka identifikuar të paktën 92 përdhunime të kryera nga 72 burra./tvklan.al