Francezja që mësoi se për 10 vite ishte droguar dhe përdhunuar nga burri i saj dhe burra të tjerë i ka rrëfyer gjykatës tmerrin që ndjeu kur mësoi se ishte abuzuar.

72-vjeçarja Gisèle Pélicot, po  jepte dëshminë në ditën e tretë të gjyqit në Avignon për 51 burrat,  përfshirë edhe bashkëshortin e saj të 50 viteve, Dominique. Të gjithë akuzohen për përdhunim.

Dokumentet e gjykatës dëshmojnë se Dominique Pélicot, 71 vjeç, i tha policisë se përjetonte kënaqësi kur shihte burra të tjerë që kryenin marrëdhënie seksuale me gruan e tij pa ndjenja.

Shumë prej të pandehurve e kundërshtojnë akuzën e përdhunimit pasi deklarojnë se mendonin që po merrnin pjesë në një lojë seksi me miratimin e palëve.

Por Gisèle Pélicot i tha gjykatës se nuk ishte kurrë “bashkëpunëtore” në aktet seksuale dhe nuk ishte shtirur kurrë se po flinte. Çështja ka shokuar Francën, edhe për faktin se gjyqi po mbahet me dyer të hapura.

Gisèle nuk pranoi të drejtën e anonimatit për të reflektuar “turpin” te të akuzuarit. Teksa u ngjit në podium ditën e enjte, ajo tha se po fliste për “çdo grua që është droguar pa e ditur… kështu që asnjë grua të mos vuajë”.

Ajo kujtoi momentin e nëntorit 2020 kur policia i kërkoi të intervistohej krah bashkëshortit. Ai ishte kapur së fundmi duke fotografuar gratë në supermarket nga pjesa poshtë fundeve dhe Gisèle tha se besonte që takimi me policinë ishte një formalitet për këtë ngjarje.

Efektivi i policisë më pyeti për jetën time seksuale”, tha ajo. “I thashë që nuk e kisha praktikuar kurrë shkëmbimin e partnerëve apo përfshirjen e një personi të tretë. I thashë që isha një grua që doja vetëm një burrë. Nuk mund të duroja duart e asnjë burri tjetër veç atyre të burrit tim. Por pas një ore, polici tha ‘do të të tregoj disa gjëra që nuk do të të pëlqejnë’. Ai hapi një dosje dhe më tregoi një fotografi. Nuk e njoha burrin ose gruan që flinte në shtrat. Polici pyeti: ‘zonjë, a janë këto shtrati dhe komodina juaj?”

“Ishte e vështirë ta njihja veten të veshur në një mënyrë krejtësisht të panjohur. Ai më tregoi një foto të dytë e më pas një të tretë. I kërkova të ndalonte. Ishte e papërballueshme. Unë isha e palëvizshme, në shtratin tim dhe një burrë po më përdhunonte. Bota ime u thërrmua”.

Gisèle  tha se deri në atë moment martesa e tyre kishte qenë përgjithësisht  e lumtur, ajo dhe bashkëshortit i saj kishin tejkaluar disa vështirësi financiare e shëndetësore. Ajo tha se e kishte falur  për incidentin e fotove me fundet dhe ai i kishte premtuar se kishte ndodhur vetëm një herë.

“Gjithë çka kishim ndërtuar bashkë ishte zhdukur. Tre fëmijët tanë, shtatë nipër e mbesa. Ne ishim një çift ideal. Doja vetëm të zhdukesha. Por duhej t’u thosha fëmijëve të mi që babai i tyre ishte i arrestuar. I kërkova dhëndrit tim të qëndronte përkrah vajzës time teksa i thosha asaj se babai i saj më kishte përdhunuar dhe kishte lejuar të tjerë ta bënin po ashtu. Ajo lëshoi një ulërimë, tingulli i së cilës është ende i gdhendur në mendjen time”.

Në ditët në vijim, në gjyq do të paraqiten më shumë prova të hetimit që tregojnë sesi Dominique kontaktonte burrat përmes faqeve të seksit në internet dhe i ftonte në shtëpinë e tij periferike në Mazan.

Policia deklaron se burrat merrnin udhëzime të rrepta. Ata duhet të parkonin në njëfarë largësie nga shtëpia që të mos  tërhiqnin vëmendje dhe të prisnin për një orë derisa ilaçet e gjumit që ai i jepte Gisèle të jepnin  efekt.

Më tej, burrat zhvisheshin në kuzhinë dhe ngrohnin duart në ujë të ngrohtë ose në një ngrohëse. Duhani  dhe parfumi nuk lejoheshin sepse Gisèle mund të zgjohej. Prezervativët nuk u kërkoheshin. As para.

E pyetur nga gjykatësi nëse njihte ndonjë prej të akuzuarve, Gisèle tha se njihte vetëm njërin.

“Ai ishte fqinji ynë. Vinte për të kontrolluar biçikletat tona. E shihja te furra e bukës. Tregohej gjithnjë i sjellshëm. S’ia kisha idenë që vinte dhe më përdhunonte”.

Më pas, gjykatësi i kujtoi që të respektonte prezumimin e pafajësisë dhe ishte rënë dakord që të mos përdorej fjala përdhunim, por “skenë seksi”.

“Mendoj që ata thjesht duhet të pranojnë faktet. Kur mendoj që çfarë kanë bërë pështjellohem nga neveria. Ata  duhet të kenë të paktën përgjegjësinë të pranojnë çfarë kanë bërë”, iu përgjigj 72-vjeçarja.

Pas zbulimit të së vërtetës, Gisèle mësoi se kishte 4 sëmundje të transmetuara seksualisht.

“Nuk kam mëshirë për asnjë prej të akuzuarve.  Njëri që ishte me HIV erdhi 6 herë. Asnjëherë bashkëshorti im nuk shprehu shqetësim për shëndetin tim”.

Aktualisht ajo është në proces divorci.

Pas dy orësh që fliste përpara Dominique dhe të akuzuarve të tjerë, Gisèle përmbylli: “Brenda meje, është një skenë shkatërrimi. Fasada mund të duket e fortë… por pas saj…”/tvklan.al