Një deklaratë e papritur e Ministrit të Brendshëm italian, Roberto Maroni, ka shokuar opinionin publik në vendin fqinj.
Trafiku i organeve me minoren është prezent në Itali, ka thënë Maroni, në asamblenë e përvitshme të UNICEF-it në Romë duke shtuar se ky problem është vërtet i tillë me fëmijët e huaj mes tyre edhe shqiptarë.
Shumë organizata kanë denoncuar zhdukjen e të miturve emigrantë në Itali, ndërsa vendet e origjinës kanë njoftuar autoritetet e këtij vendi përmes zyrave të Interpolit.
Ministri italian konfirmoi gjithashtu se vetëm gjatë vitit 2008 rreth 400 të mitur që dyshohet se janë trafikuar deri në brigjet italiane janë zhdukur mistershëm.
Përpara këtij fakti drejtësia fqinje është gjendur e papërgatitur. E vetmja iniciativë e deritanishme është hetimi për të zbuluar trafikun e fëmijëve shqiptarë.
Prokuroria e Romës ka nisur kështu hetimet, ndërsa ka dyshime të forta që Italia ka shërbyer si destinacion i këtij trafiku dhe jo vetëm si vend transit./tvklan.al