Shumë prej tyre vendosin të largohen për disa ditë
Ky është njëri prej trageteve që po rikthen në vendlindje italianët që studiojnë e punojnë në Shqipëri, por edhe ata që kanë vizituar vendin tonë këto ditë për turizëm. Ata janë tmerruar nga lëkundjet e fuqishme dhe të vazhdueshme të tokës që ende nuk janë ndalur dhe do të përpiqen të kalojnë disa ditë të qeta në vendin e tyre, siç thonë edhe këta studentë, të mbërritur në portin e Barit nga Durrësi.
“Studioj për mjekësi në Tiranë. Ne italianët u kthyem të gjithë. Kishim frikë, ishin lëkundje të fuqishme”.
“Vendimin për t’u kthyer në Itali e morëm pa e planifikuar. Lëkundjet ishin të këqija, kishim frikë për fëmijët. Do rrimë 5 ditë sa të marrim veten”.
Të përfshirë nga paniku, disa turistë vendosën të rikthehen menjëherë.
“Shkuam për pushime. Do të qëndronim për t’u shplodhur. Mbërritëm të hënën por s’bëmë dot asgjë. Ndjemë të gjitha lëkundjet. Ishim pikërisht në hotelet buzë detit ku pati shembje ndërtesash dhe viktima”.
“Isha për turizëm dentar, por ndërpreva gjithçka. Traumën që përjetova aty nuk ia uroj askujt”.
“Kam një fabrikë çantash. Ishte i tmerrshëm. Më vjen keq për gjithë njerëzit që jetojnë aty”.
Për të kaluar disa ditë të qeta larg lëkundjeve të tokës që vazhdojnë, veç italianëve, nga Durrësi janë larguar edhe shqiptarë e të huaj.
Tv Klan