Sonte i ftuar në “Opinion” në Tv Klan është Blendi Gonxhja, njeriu të cilit i është besuar ministria më e re në vend, ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai u shpreh se vënia e tij në karrigen e ministrit nuk është biseduar me të, duke e cilësuar si një zgjedhje të natyrshme të kreut të kabinetit qeveritar Edi Rama.


-Ishte zgjedhje e Ramës apo e biseduar me ty?

Blendi Gonxhja: Jo nuk ka qenë e biseduar me mua. Them që ka ardhur në mënyrë të natyrshme, duke parë këtë vokacion mendoj dhe duke parë që… siç themi t’i gjejmë punës njeriun…Është marrë shembull nga ajo që është bërë.

-Gjatë kësaj kohe ke komunikuar shpesh me Ramën? Jo tani, para se të vinte lajmërimi juaj si ministër?

Blendi Gonxhja: Për mendimin tim sukses në një administratë, dhe jo me Ramën, por me këdo shef qeverie apo dikasteri është kur flet sa më pak me titullarin, në kuptimin që punët ecin dhe nuk ka nevojë që gjithmonë të ndihmojë për të zgjidhur punët. Natyrisht që kemi folur për çështje momentale, sfida të forta, bllokime, nevoja që duhet të ndërhynte kryeministri. Por punët kanë ecur mirë edhe për shkak se kushtet në të cilat unë kam punuar kanë qenë të tilla që ndërtimi i ekipit…pra gjithë liria e dhënë edhe nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe nga ana e zv.kryeministres, por edhe nga kolegë të ministrisë përkatëse të linjës, sidomos dhe nga kryeministri për një nga sektorët që mbase se përmendim shumë, por kemi të bëjmë të gjithë me të.

Kujtojmë se që prej 2018-ës Gonxhe ishte në krye të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor./tvklan.al