Një seri sulmesh ajrore intensive izraelite tronditën kryeqytetin e Jemenit dhe një qytet port, duke vrarë të paktën nëntë persona. Ushtria izraelite tha se kishte sulmuar objektivat ushtarake që i përkisnin luftëtarëve Houthi në brezin bregdetar perëndimor në Jemen si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të raketës nga Houthi-t ku një shkollë u dëmtua ne Tel Aviv.
Nën shënjestër të ushtrisë izraelite vunë dy termocentrale në Sanaa si dhe disa objekte të naftës në Hodeidah.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, u zotua pas sulmeve ajrore në disa zona se dora e Izraelit do t’i arrijë udhëheqësit e lëvizjes Houthi të Jemenit. Nga ana tjetër një anëtar i byrosë politike të Houthi, pretendoi se SHBA qëndron gjithashtu pas sulmeve të fundit izraelite ndaj vendit të tij. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei ka bërë të ditur se sulmet e fundit izraelite në Jemen përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të kartës së OKB-së.
Militantët Houthi të lidhur me Iranin kanë nisur sulme ndaj anijeve ndërkombëtare pranë Jemenit që nga nëntori i kaluar, në solidaritet me palestinezët në luftën e Izraelit me Hamasin dhe shumë analistë shprehen se ato do të vijojnë deri në përfundim të luftës në Gaza.
Ndërkaq Forcat izraelite vazhdojnë të godasin Gazën, duke vrarë të paktën 16 palestinezë në veriun e rrethuar, duke përfshirë fëmijë dhe një mjek në Spitalin Arab Al-Ahli. Mes të tjerash Izraeli e ka cilësuar raportin e Human Rights Watch që e akuzon atë për kryerjen e akteve të gjenocidit në Rripin e Gazës një gënjeshtër.
Klan News