Kanceri i lëkurës vijon të rritet në popullatë. Të dhënat e fundit të OBSH tregojnë se në Europë gjate një viti identifikohen 100 mijë raste me kancer lëkure, prej të cilave 16 mijë kanë humbur jetën.
Një studim i fundit i Institutit të Shëndetit Publik tregon se tumoret me numër më të shpeshtë të rasteve të reja të diagnostikuara në Shqipëri janë ai i lëkurës, gjirit dhe mushkërive.
Këto tumore së bashku përbëjnë pothuaj 40% të të gjitha tumoreve të reja të raportuara nga sistemi shëndetësor.
Kanceri i lëkurës dhe i mushkërisë zënë peshën kryesore, përkatësisht me 16 dhe 13%. Mjekët dermatologë thonë se duhet treguar kujdes për t’u kapur në kohë kjo sëmundje.
“Kanë ardhur në rritje kanceri i lëkurës dhe melanoma, kanceri i lëkurës tek mosha mbi 60 vjeç vihet re më shumë, ndërsa melanoma tek moshat e reja”, tha Ermira Vasili, shefe e Shërbimit të Dermatologjisë.
Sipas bluzave të bardha, përveç faktorëve gjenetikë, po ndikojnë edhe faktorë të tjerë nga moskujdesi i treguar.
“Faktorët gjenetikë, ata që kanë shumë nishane, përdorimi pa kriter i solarëve, mos kujdesi me krem mbrojtës janë disa nga faktorët”, tha mjekja.
Kontrollet periodike pranë mjekëve dermatologë dhe kapja në kohë e melanomës, çon në shërimin total të saj.
Tv Klan