Një ditë pas tmerrit që përjetuan 10 familje të fshatit Bago në Kavajë, banorë të shtëpive përreth kanë braktisur banesat e tyre nga frika e shembjes së ndërtesave që ndodhen fare afër brezit të rrëshqitshëm të tokës.
Gra, fëmijë dhe të moshuar janë shpërngulur së bashku me orenditë e shtëpive tek të afërmit e tyre, ku dhe kanë gjetur një strehë më të sigurt. Specialistë të Shërbimit Kombëtar të Gjeologjisë kanë dhënë alarmin se banesat që ndodhen në një rreze prej 3 hektarësh nga vendi ku ndodhi rrëshqitja rrezikojnë shembjen. Nga matjet e bëra ka rezultuar se nëntoka në këtë zonë është e paqëndrueshme, si pasojë e depërtimit të ujërave dhe përbërjes ranore të saj.
Në fshat kanë mbërritur ndihmat e para në ushqime dhe veshmbathje. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone u ka premtuar familjeve të dëmtuara se shtëpitë e tyre do të ndërtohen nga e para falë kompensimit financiar që do t’u bëhet nga shteti.
Ferdinand Poni: “Mënyra e reagimit do të jetë shumë e shpejtë. Ne edhe konviktet e me radhe i vejmë në dispozicion menjëherë apo edhe qira diku në një vend që sa të ndërtohen këto shtëpitë e reja dhe do t’i ndërtojnë të reja.”
Demet materiale të shkaktuara nga kjo katastrofë natyrore nuk janë përllogaritur ende. Komuna ka ngritur një grup pune që do të evidentojë brenda pak ditësh koston reale të të gjitha dëmeve./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi