Për herë të parë Korporata Elektroenergjetike arrin të siguroje një fitim që përllogaritet në 16,5 milionë euro.
Drejtori i ri i KESH-it, Muharrem Stojku, shpjegon se fitimi i realizuar është rezultat i mirëmenaxhimit.
Shuma në fjalë do të shkojë për uljen e detyrimeve që KESH ka ndaj bankave private apo Ministrisë së Financave, kredi që dy vitet e fundit arrijnë në rreth 200 milionë euro.
Muharrem Stojku: “Me menaxhimin që kemi bërë me optimizmin e kaskadës në momentin që kemi pasur reshje ne e kemi shfrytëzuar maksimalisht duke mos derdhur asnjë metër kub ujë ku vetëm 6 mujorin e parë kemi arritur të fusim në arkën e KESH-it rreh 16.5 milionë euro. Ky vit është hera e parë që është optimizuar në këtë formë.”
Moti i thatë i muajve të fundit nuk është pengesë për furnizimin 24 orë me energji garanton drejtori i KESH-it.
Muharrem Stojku: “ … në vazhdim duket sikur është e thatë në këto 3 muaj të këtij gjysmë viti paraqitet e vështirë me thatësirë ku ne kemi marrë masat që në fillim të këtij 5 mujori. Kemi hartuar programe të sakta të mundësisë së furnizimit 24 orë me energji elektrike që tashmë nuk diskutohet më. Në nëntor ne pavarësisht nga situata do rrisim importin.”
Një tjetër garanci për një situatë stabël energjetike është edhe futja me kapacitet optimal prodhimi i TEC-it të Vlorës brenda 3 javëve në vijim.
Në lidhje me tarifat e energjisë, Stojku pohon se KESH i ka kërkuar Entit Rregulltar të Energjisë një rritje prej 0.9 lekësh për kilovat orë për energjinë që i shet OSSH-së.
Muharrem Stojku: “Tarifa e KESH-it e furnizimit me shumicë për OSSH-në sot është 1.6 lkë për 1 kilovat orë kur ne kemi aplikuar për një çmim 2.5 lekë pasi kemi marrë parasysh edhe detyrimet që ka KESH-i, kreditë që ka, investimet që janë janë bërë. Ky është një çmim minimal i aplikuar nga ne të ERRE-t.”
Do te jete ERE që krahas rritjes së propozuar nga KESH-i do të shqyrtojë edhe rritjen e kërkuar nga vetë OSSH-ja, përpara se të vendosë mbi tarifat që konsumatorët dhe bizneset do të paguajnë duke nisur nga 1 Janari i vitit të ardhshëm./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro