Ermal Meta i shikon këngët si foto. Fotot e një momenti që shpesh dëshiron t’i ndajë menjëherë, pa ndërhyrë efekti i kohës. Kështu kënga e tij e re “Milano non exists”, e publikuar të premten, është shkruar pak ditë më parë.
Përtej jetës së tij profesionale, artisti shqiptar ka dhënë një intervistë për “Corriere della Sera” ku dhe ka zbuluar më shumë detaje përsa i përket jetës personale.
Ndër të tjera, ajo që ka tërhequr vëmendjen nga intervista e tij ka qenë deklarata ku është shprehur se ka pasur një familje të tmerrshme tradicionale duke shtuar se babai i tij nuk ishte një njeri i mirë.
“Familjet mund të jenë ose jo tradicionale. Ajo që nevojitet është dashuria: Unë kisha një familje tradicionale që ishte e tmerrshme. Babai im nuk ishte njeri i mirë, do të kisha preferuar një mijë herë diçka ndryshe. Pra, mendoni për fëmijët e dhunuar ose gratë që vuajnë dhunën”.
I pyetur në lidhje me mënyrën si është ndjerë kur është rikthyer në vendin ku ka lindur, referuar koncertit të tij në stadiumin e Tiranës para pak kohësh, artisti është përgjigjur:
“Shqipëria ka kaluar një kohë të vështirë. Kur isha i vogël ishte e ndaluar të dëgjoja muzikë të huaj, regjimi kishte frikë nga ajo që vinte nga jashtë, aq sa për të thënë “kazino” thoshim “Amerikë”. Kur mbërritëm në Pulia më kujtohen rrugët e mëdha dhe të drejta, sepse në Shqipëri ishin të gjitha kthesa, për të mos zbarkuar armiqtë”. /tvklan.al