I ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një djalë 34-vjeçar i quajtur Ermali Meta i cili ka një problem të madh. Ai është dashuruar me një grua 41 vjeç nga Gjilani, por familja e tij nuk e pranojnë vajzën sepse nuk është e bukur dhe është 7 vite më e madhe se ai. Ermali tregon se e ka njohur në rrjetet sociale prej dy muajsh dhe nuk e ka takuar ende.
Mirela Milori: Kaloi kohë dhe ti njihesh prapë me një vajzë që është më e madhe se ty në moshë. Ti je 34 ajo 41 vjeç. Ku u njohët?
Ermal Meta: Në rrjetet sociale.
Mirela Milori: Sa kohë zgjati njohja jote në rrjetet sociale?
Ermal Meta: Zgjati 7 ditë dhe vendosa ta njihnim njëri-tjetrin nga afër. Sipas traditës që kanë kosovarët, një pjesëtar i familjes të shkojë të njihet më familjen e vajzës. Ajo vajza është nga Kosova, nga Gjilani. Unë ia thashë atyre të shtëpisë, i tregova dhe fotot, por nëna ime tha që nuk e pëlqej sepse nuk është e bukur dhe është e madhe në moshë. I thashë po ç’rëndësi ka, jam unë ai që e vendos, ju do më mbështesni për këtë rast? Më thanë jo. Vajza nuk e di që familja ime nuk e do, unë e mbaj me shpresa se familja ime e do.
Mirela Milori: Sa kohë ka kjo historia juaj?
Ermal Meta: Rreth dy muaj. Unë nuk e kam takuar asnjëherë vajzën, vetëm online.
Mirela Milori: Nuk u bëre kurioz ta takosh e më pas të vendosësh do lidhem apo jo me të?
Ermal Meta: Epo ajo më tha mua mos hajde pa një pjesëtar të familjes sepse kështu do nëna ime tha. Prindërit e saj janë dakort plotësisht.
Mirela Milori: Po nëse nuk të pëlqen ty ose nuk i pëlqen asaj?
Ermal Meta: Edhe kjo mund të ndodhë, por prindërit e mi nuk po ma japin këtë mundësi që ta njoh. /tvklan.al