Ndonëse i ri në karrierë, aktori italian Antonio Buonocunto tashmë ka nisur të ketë sukseset e tij të para. Pas filmit “Filomena Marturano” dhe serialit “Piedone la serie”, ai ka filluar edhe punën mbi një film të tij.

Përpara se të kishte këto arritje të rëndësishme, Buonocunto ka përjetuar një sfidë të fortë në fillesat e karrierës  të cilën e ndan gjatë intervistës në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Antonio Buonocunto: Rreth pesë vjet më parë u shpërngula në Romë, sepse doja të ngjitesha në një nivel më cilësor, të filloja të jetoja me këtë punë, të ushtroja vetëm këtë profesion. Transferohem në Romë, filloj të punoj shumë mirë dhe bota ndalon. Të gjithë ndaluam për shkak të pandemisë. Kinematë nuk operojnë më, teatri gjithashtu. Do të të duhej të bëje bukëpjekësin, meqë puna vazhdonte për ta. Dhe unë që isha gati të kapërceja, i vetëdijshëm që poshtë ishte plot me ujë dhe nuk vritesha, por befas uji shteron dhe po të rrëzohesha, do të vritesha.

Isha larg familjes, kam qenë i vetëm në Romë duke u përballur me këtë situatë, i zhytur në mendime. Fillova të pyesja veten se çfarë do të bëja tani. Çfarë duhet të bëj? Të vazhdoj? Të ndaloj? Mos vallë ky ishte fati im? Duhej të ndodhte që unë të zgjohesha? Kuptova se kjo kohë më shërbeu për të rivlerësuar. Rifillova më i fortë se më parë. Sapo mbaroi gjithçka, bëra filmin tim të parë, “Filumena”. Ky ishte konfirmimi që më bëri të kuptoja se nuk mund dhe nuk duhet të ndaloj. Nëse ndalon në këtë botë, je i humbur. 

Veç vështirësive, profesioni i një aktori ka edhe momente të bukura e emocionuese, si komplimentet e ndjera.

Antonio Buonocunto: Isha në teatër. Isha në skenën e një spektakli me një dialekt tjetër. Kam dialektin napolitan, kurse në skenë flisja dialektin siçilian. Kjo shfaqje fliste për viktimat e pafajshme të mafies. Kisha një monolog në dialektin siçilian. Përpara meje ishte një publik i gjerë. Në teatër është errësirë dhe nuk duket askush, por dalloj një zonjë në errësirë, ishte e ngashërye nga të qarët me dënesë. E dëgjoja.

Në përfundim të shfaqjes i afrohem. Më kërkoi falje. Të më falni ju, ia kthej unë. Më thotë se falë performancës sime, arriti të kalonte një vështirësi të madhe. Ishte rreth gjashtëdhjetë vjeçe. Kishte njëzet vjet që nuk nxirrte pikë loti që kur bashkëshorti i saj u vra. Më tha se isha unë ai që e çliroi plotësisht. Dukej si një rrëfim. Ishte rrëfimi im që e çliroi. Filluam të qanim të dy. Nuk dija çfarë t’i thosha./tvklan.al