Edhe pse thotë se nuk e ka vendosur ende formacionin, trajneri Silvinjo duket se i ka idetë e qarta. Lojtarët më në formë do të jenë në fushë kundër Gjeorgjisë. Dhe më në formë janë ata, ose pjesa më e madhe e atyre që fituan me Ukrainën.
“Kemi 23 lojtarë që janë shumë të gatshëm për të shkuar në fushë. Nëse kuptojmë që një lojtar nuk është në 100%, e bëjmë ndryshimin. Është ende herët, duhet të zhvillojmë stërvitjen dhe të marrim një vendim të marten në drekë”.
Trajneri i kombëtares parashikon një ndeshje të fortë. Në këtë përfundim, ka ardhur pasi e ka analizuar Gjeorgjinë përgjatë një muaji.
“Unë mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, me stadium të mbushur. Ata janë një ekip i fortë, i organizuar, i vështirë. Do të duhet të ecim me 100 në orë nëse duam të bëjmë një paraqitje të bukur, do të jetë e rëndësishme. Kemi punuar një muaj mbi Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Janë shumë të fortë, me lojtarë të rëndësishëm. Unë mendoj se ata po punojnë shumë mirë”.
Kombëtarja ka si synim Botërorin e 2026-ës. Lojtarët thonë se këtë objektiv do ta tentojnë edhe nëpërmjet Ligës së Kombeve.
“Objektiv kemi Botërorin, por jemi në një grup të fortë. Gjeorgjia luan një futboll të bukur. Edhe Çekia është skuadër e fortë. Objektivi jonë është të arrijmë në Botëror, por do të shikojmë ndeshje pas ndeshje”.
Duke lënë pas fitoren me Ukrainën, fatin e kombëtares do ta vendosë edhe ndeshja kundër Gjeorgjisë, të martën në orën 20:45, sfidë që do të transmetohet drejtpërdrejt në Tv Klan.
Tv Klan