Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Konferenca e Partisë Socialiste në Tiranë zyrtarizoi ndarjen përfundimtare mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të kryeministrit Nano. Në po të njëjtën sallë, si 7 muaj më parë, socialistët shprehën urrejtjen e akumuluar gjatë kësaj periudhe ndaj njëri-tjetrit me akuza, sharje dhe ofendime.

Pas fjalës rikandiduese të kryetarit të PS së Tiranës Musa Ulqini, ish-kryeministri Meta shpalosi platformën e tij, duke kërkuar ndryshim të qeverisjes dhe të vendimeve të Kongresit të Dhjetorit. Sipas Metës, qeveria Nano është qeveria më e korruptuar e vlerësuar si e tillë de nga ndërkombëtarët.

Ilir Meta: “Ne çmojmë, se arsyeja kryesore e kësaj gjendje të rëndë brenda nesh është politika përçarëse e frymëzuar dhe ekzekutuar nga kryetari i partisë dhe klani i tij, e cila kulmoi me kongresin e turpshëm të Dhjetorit 2003. Kjo krizë partiake shumëplanëshe politike, programore përfaqësimi, nuk mbulohet nga alternativa e vërshëllimës. Ajo është reflektuar në të njëjtat përmasa edhe në qeverisjen tonë, pasi Partia Socialiste prodhuar vitet e fundit, një qeveri me konflikt të thellë interesash”.

Salla ka reaguar shpesh herë gjatë fjalës së Ilir Metës, ndërsa sekretari i përgjithshëm Ruçi, i ka kthyer këtë përgjigje deputetit Meta.

Gramoz Ruçi: “Në qoftë se ju kërkoni të dëmtoni Partinë Socialiste, në gjuhën popullore të Tepelenës time, dhe të Skraparit tënd dhe gjithë shqiptarëve, kjo do të thotë “bukëshkalë”.

Me tone të ashpra është shprehur dhe Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave në qeverinë Meta.

Anasatas Angjeli: “Dhe në qoftë se do t’i kërkojë ndonjëherë falje PS është kjo ditë sot, dita e festës së PS dhe dita e Konferencës së PS, që kam mbështetur disa persona në Partinë Socialiste me punën time, me vullnetin tim, me të gjitha format, që të arrijnë në PS, të kontribuojnë në PS dhe ata kanë kurajën, dalin ekraneve dhe hedhin baltë mbi udhëheqjen e partisë, mbi partinë, mbi ju të gjithë. Mallkuar qoftë ajo ditë që i kam mbështetur dhe i kam marrë nga dora!”

Edi Rama: “Shqiptarët janë aty, prapa dyerve të konferencave tona, nëpër Shqipërinë që kërkon prej nesh të jemi lokomotiva e zhvillimit dhe jo një klub sherresh e intrigash në mes të fshatit, ku burrat nuk ndajnë dot muhabetin për vijën e ujit. Propozimi im është fare i thjeshtë, nuk e di se sa është statutor. Kjo konferencë le të marrë kurajën dhe t’i propozojë KPD-së që në 400 ditët e ardhshme të mos lihet më gjumë në PS, kush e përballon le të rri, kush nuk e përballon le të iki”.

Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka pranuar se ekziston korrupsioni dhe varfëria, megjithatë është më i madh angazhimi i qeverisë së tij për të zbutur këto fenomene. Kryeministri akuzoi ashpër Ilir Metën, si dhe deputetët që e përkrahin atë, duke deklaruar se ata tashmë nuk mund të bashkëjetojnë më me familjen e madhe socialiste.

Fatos Nano: “Por si çdo organizëm i gjallë edhe PS, ka jashtëqitjet e saj. Nëse ata që praktikojnë hedhjen e plehrave në ambientin tonë të përbashkët, sot vendosin të hidhen dhe vetë jashtë saj, kjo nuk do të thotë, se kjo shtëpi është e keqe, kjo do të thotë thjeshtë, se kjo shtëpi s’mban plehra brenda”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj