Mbi 300 motoristë nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në Korçë, në edicionin e shtatë të “Korça Moto Fest”.
Parada e motoristëve ka përcjellë adrenalinë dhe ka gjallëruar qytetin e serenatave. Motoristët kanë udhëtuar qindra kilometra për t’u bërë pjesë e aktivitetit, i cili synon promovimin e qyteteve dhe destinacioneve turistike të vendit.
“Çdo vit në qytetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë organizohen festa të motoristëve ku mblidhemi rreth 700 – 800 persona. Motoristët vijnë nga te gjitha trojet shqiptare. Misioni eshtë promovimi i çdo qyteti dhe bukurive shqiptare.”
“Kam ardhur së bashku me bashkëshortin tim dhe është gjithmonë kënaqësi të kthehemi në festivalin e motorëve. Me bashkëshortin jam njohur në një festë motorrësh në 2019 dhe tashme është bërë stil jetese”.
Nuk mungojnë as shtetas të huaj që u bënë pjesë e këtij evenimenti.
“Kam gruan nga Korça dhe tani jam këtu për këtë event. Ne vijmë nga Selaniku i Greqisë, kemi ardhur 10 motoristë sot. Kam ardhur në Korçë shumë herë, e dua këtë qytet.”
“Motorin tim te parë e bleva në moshën 24 vjeçare dhe e fshihja në shtëpinë e shokut tim. Atmosfera është fantastike, kanë bërë një punë të mirë në organizimin e këtij eventi.”
Spektakli i motorëve nisi të shtunën dhe vijoi edhe të dielën, ndërsa qytetarët dhe turistët patën mundësi të shohin marka të ndryshme motomjetesh të cilat u ekspozuan në qendër të qytetit.
Tv Klan