Grupi Drejtues Ndërkombëtarë i sugjeruar të premten institucioneve të Kosovës që të fokusohen në sundimin e ligjit, reformën në sistemin e sigurisë dhe fillimin e procesit të decentralizimit. Kryesuesi i këtij grupi Pieter Feith, tha në një konferencë për media se pret të shohë reformime rrënjësore në këto 3 shtylla.
Pieter Feith: “Prioritet të cilat unë i kam identifikuar janë decentralizimi, e dyta sundimi i ligjit dhe e treta reformat në fushën e sigurisë. Këto reforma do të zbatohen në koordinim të ngushtë me misionin EULEX-it dhe KFOR-in”.
Sipas tij për t’i zbatuar këto reforma do duhet që në Kosovë të themelohet Gjykata Kushtetuese dhe të emërohen gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë duke shtuar se duhet pasur parasysh se do të ketë nevojë edhe për një gjendje më stabile në veri të Kosovës dhe për funksionalizimin e pikave doganore me Serbinë.
Pieter Feith: “Por më këto çështje do të merret EULEX-i pasi që të jetë shtrirë në Kosovë si dhe disa çështje do të duhet të adresohen në dialogun Prishtinë-Beograd të cilin po përpiqet ta modelojë shefi i UNMIK-ut”.
Nga ana tjetër kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi, përfaqësues i palës kosovare në këtë takim i ka siguruar përfaqësuesit ndërkombëtarë se Kosova do t’i zbatoj të gjitha obligimet e saj.
Jakup Krasniqi: “Dhe Kosova misionet e saj, janë të angazhuara, janë të gatshme që t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe përgjithësitë në rend të parë obligimet dhe përgjithësitë që i kanë marrë nga qytetarët e Kosovës edhe ndaj atyre vendeve që e kanë njohur Kosovën”.
Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën ka një rol mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e obligimin që ka marr Kosova me miratimin e pakos së Ahtisarit./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki