Edi Rama: “Gjatë gjithë kësaj periudhe kur sondazhet kanë hyrë si një formë e testimit dhe analizës së opinionit publik, as unë dhe as PS nuk kanë mbajtur qëndrime, është pjesë e një hapësire lirie që gjithsecili e përdor siç e sheh më të arsyeshme. Por në këtë moment unë e shoh të domosdoshme të ndërhyj sepse ky është një moment historik. Ky është një moment kur populli shqiptar kërkon të lexojë qetësisht vendimin që ka marrë sot në kutitë e fshehta të votimit dhe në këtë moment nuk ka vend për farsa të kësaj natyre dhe për më tepër pastaj për tej zgjatje mbi spekulimet dhe mbi hamendësime që nuk kanë të bëjnë asgjëkundi as me realitetin e sondazheve dhe as me realitetin e ditës sotme të votimit. Ne e kemi pasur dhe e kemi bërë në vazhdimësi sondazhet tona të cilat flasin krejt të kundërtën. Sondazhet tona flasin qartë për një avantazh të konsoliduar gjatë gjithë këtyre muajve të PS-së dhe të bashkimit për ndryshim. Ndërkohë që dhe të dhënat tona sot flasin qartë që ky avantazh i konsoliduar gjendet brenda në kutitë e votimit. Arsyeja pse unë jam këtu është vetëm një, procesi vazhdon dhe askush nuk mund të krijojë të pafavorshme për procesin. Duke nxitur fishekzjarrë dhe festa të cilat na u premtua se nuk do të ndodhnin përpara se sa të dilte rezultati nga kutia e votimit dhe duke mbajtur lidhur një opinion të tërë publik që sot ka të drejtën të jetë i lirë në leximin e vendimit që ka marrë. Unë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë sot jo vetëm ata që përmenda në deklaratën e mëparshme, por edhe media ka pasur një rol të jashtëzakonshëm dhe lutem që media të vazhdojë të luajë rolin e saj duke ndjekur procesin, lutem që media të fokusohet tek karvanet e kutive që ende vazhdojnë të shkojnë drejt qendrave të numërimit. Lutem që media të bëjë sa më transparente përpara popullit mbarë, që është i gjithi i mbërthyer në ekranet e televizorit, atë që vetë ky popull ka vendosur sot dhe që është ndryshe nga çka tregojnë exitpollet.  Nuk mund të ketë exitpolle të besueshme, nga cilado kompani qoftë në një vend ku deri ditën e fundit opozita duhet ti inkurajonte qytetarët që të mos i dorëzoheshin presioneve, të mos i trembeshin kërcënimeve, të mos i hapin rrugë shantazheve dhe të votoni lirisht në kutinë e fshehtë, aty ku populli vendos dhe nuk ka asnjë mundësi dhe asnjë gjasë që intervistat në derën e qendrës së votimit të jenë intervista të cilat garantojnë transparencë mbi atë që ndodh brenda kutisë së fshehtë, sepse populli opozitar nuk është i prirur të thotë atë që ka bërë në kutinë e fshehtë për shkak të asaj klime dhe asaj situate që ne e dimë shumë mirë se si e ka shoqëruar gjithë këtë proces. …/tvklan.al