Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho ka publikuar listën me 27 futbollistë të Kombëtares Shqiptare të futbollit për Kampionatin Europian 2024 në Gjermani.

Gjatë një konference për mediat, trajneri Sylvinho ka theksuar se një kriter kryesor për përzgjedhjen e lojtarëve ka qenë fakti që të zgjedhurit duhet të jenë 100% gati si fizikisht dhe psikologjikisht. Sylvinho ndër të tjera tha se fakti që një lojtar mund të mos luajë shumë me klubin nuk është një kriter madhor.

Trajneri Sylvinho: Për ne si staf fakti që një lojtar mund të luajë apo nuk luan shumë me klubin nuk është një kriter madhor sepse ka lojtarë që me klubin kanë luajtur pak, por kur kanë ardhur me kombëtaren kanë dhënë maksimumin. Për ta theksuar një nga kriteret që ka përdorur trajneri në princip për këtë listë është që lojtarët që do të vijnë në kombëtare duhet të jenë 100% gati si fizikisht dhe psikologjikisht. Përshembull është edhe një lojtar që nuk e përmendët që është Muçolli të cilin unë do doja të kisha. Kam folur me të do të doja ta kisha dhe nuk ishte gati dhe prandaj nuk e morra dot. Kam folur edhe me lojtarë të tjerë që nuk janë gati fizikisht dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e listës.

Ndërkohë sa i përket Armando Brojës trajneri Sylvinho u shpreh se ai tashmë prej më shumë se gjashtë muajsh e ka marrë plotësisht veten nga dëmtimi dhe se ka shumë besim që ai si dhe Rey Manaj që gjithashtu kishte një dëmtim do t’i japin shumë kombëtares në Euro2024.

Trajneri Sylvinho: Sa i përket Brojës është një lojtar shumë i shpejtë, shumë i fortë në situatat 1 me 1 me mbrojtësin dhe për fat të mirë është rikuperuar prej gjashtë muajsh dhe në aspektin fizik është në gjendje optimale ashtu si edhe Manaj që është në një formë të mirë. Janë dy lojtarë që mund të na japin shumë në fushën e lojës. Në rastin tonë nuk është e thënë që të qëndrojë si kriter fakti që nuk luan rregullisht me klubin./tvklan.al