Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarsht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Devollit Eduart Duro dhe 4 persona të tjerë. SPAK, me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë me kërkesën për kalim për gjykim. Duro akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, për shkak të shkeljeve ligjore në dhënien e lejes dhe autorizimit për shoqërinë “Genci Petrol” sh.p.k.
SPAK thekson se në bazë të rezultateve të hetimit janë konstatuar shkelje nga Njësia Administrative Qendër Bilisht me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 për Shoqërinë e sipëcituar për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll, Kapshticë. Prokuroria ka dyshime se kjo shoqëri që kur ka marrë lejen në vitin 2015 ka realizuar përfitime të padrejta.
Nga aktet e administruara nga Prokuroria rezulton se Eduard Duro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Astrit Seferkolli, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, në afërsi të Doganës.
Autorizimi i mësipërmen sipas SPAK është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në këtë kohë, shoqëria nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar, çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës. Gjithashtu karburanti në fjalë ishte vendosur që të prishej në 4 Tetor të 2019 nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Klan News