PD nuk do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse PS nuk pranon propozimin e saj që për zgjedhjet e 11 Majit të regjistrohen edhe shqiptarët të cilët disponojnë dokumente të huaja.

Në konferencën për mediat, Sali Berisha theksoi se ky do të jetë kushti i demokratëve, pasi nëse propozimi i tyre nuk miratohet, shumë qytetarë shqiptarë të diasporës nuk do të mund të regjistrohen për të votuar.

“Asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë në qoftë se nuk pranohet ky amandament i yni. Ky është kushti, do ti votojmë, bashkë me këtë jemi dakord, nuk duan të votojnë këtë, nuk votojmë asnjë”, tha Sali Berisha.

Edhe pse nuk ka asnjë shenjë për realizimin e qeverisë teknike, një nga kërkesat kryesore të PD, kryedemokrati thotë se tubimi i 8 Shkurtit do të jetë protesta e fitores për demokratët.

“Do të jetë një protestë e fitores. Tani opozita nuk ndalet më gjer më 11 Maj, ditën e fitores”, tha Berisha.

Pak muaj para zgjedhjeve, Berisha thotë se po vijojnë negociatat me PL, por ende nuk janë ndarë pozicionet që do të kenë kandidatët e aleatit të tij, Ilir Meta në listë.

“Ne jemi të hapur për koalicion me Partinë e Lirisë. Negociatat vazhdojnë, por ne jemi të hapur për koalicion me Partinë e Lirisë dhe me Ilir Metën. Kur bëhet koalicion, nuk ka diskutim që ndahen edhe ato vendet e sigurta”, tha kryedemokrati.

Një përgjigje pati dhe për Kryeministrin Edi Rama, i cili ironizoi premtimet e PD për pensionet si të pa realizueshme.

“Premtimet e mia janë të një njeriu i cili ka dyfishuar gjatë kohës që ka qeverisë, pensionet e ulëta, ka rritur me 70-80% pensionet e mesme dhe rritur me 30% pensionet e larta”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati zhvilloi konferencën për mediat pasi u kthe nga Gjermania, ku mori pjesë në kongresin elektoral të CDU-së.

Berisha tha se zyrtarë të lartë të CDU i kanë shprehur mbështetjen e tyre për PD në zgjedhjet e 11 Majit.

Klan News