E konsideruar si kryesfida e projekteve në rrugë gjatë këtij mandati katër vjeçar kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin që shënon hapjen e rrugës Durrës-Kukës, e cilësuar si korridori i kombit. Në një ceremoni që justifikon përmasën e investimit me rendësi ekonomike po aq sa dhe gjeopolitike, nuk ka munguar dhe kryeministri turk Taip Erdogan. I mbërritur në Shqipëri jo pa qëllim, edhe për shkak të firmës amerikano-turke Bechtel Enka e cila ka punuar në aksin më të vështirë atë Rrëshen-Kalimash prej 61 km.
Këtu përfshihet dhe tuneli Thirre-Kalimash 5.5 km i gjatë i cilësuar si ndër më të mëdhenjtë në Ballkan punimet për të cilin përfunduan në 31 maj 2009, dy vjet pas shpërthimit të parë që shënoi fillimin e punimeve për hapjen e tij. Mijëra qytetarë krahas autoriteteve të larta nga Shqipëria e Turqia morën pjesë në këtë ceremoni inaugurimi të rëndësishme. Pamjet e drejtpërdrejta nga rruga me helikopter tregonin qytetarë të mbledhur enkas për të festuar këtë moment të bashkimit simbolik të dy kombeve.
Kryetari i qeverisë Sali Berisha, do ta cilësonte këtë një ditë historike që shndërron në realitet ëndrrën e shqiptareve.
Sali Berisha: “Sot ne inaugurojmë korridorin e kombit, inaugurojmë autostradën Rrëshen-Kalimash e cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës për mbarë kombin shqiptar. Korridori i kombit është korridori që i jep fund ndarjes në mes të trupit të kombit shqiptar. Korridori i kombit është nderimi me i madh për ata qindra dhe mijëra burrash dhe grash shqiptare që ranë për të pushuar përjetë në altarin e lirisë së kombit, flijuan jetën e tyre për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar. Korridori i kombit është vepra më e madhe e ndërtuar nga ky komb në tërë historinë e tij. Ky korridor u ndërtua në 2 vjet e pak muaj. Kjo është vepra më e madhe publike e tëra kohërave që kanë ndërtuar shqiptarët. Zoti kryeministër, një mirënjohje të thellë ndaj jush që erdhët në Shqipëri në këtë ditë të madhe, mirënjohje të madhe ndaj qeverisë dhe kombit tuaj, për solidaritetin e jashtëzakonshëm, ndjenjat e miqësisë dhe mbështetjes së madhe që ju keni dëshmuar dhe ju dëshmoni shqiptarëve”…./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi