Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre pesë viteve dhe është i vetmi vend në Evropën Lindore me një ekonomi të qëndrueshme.
Kjo deklaratë vjen nga drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank për Evropën Juglindore, Herbert Stepiç, gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të Raiffeisen në Shqipëri.
Herbert Stepiç: “Vendi ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, madje dhe për një austriak ky progres është i pabesueshëm. Më në fund Shqipëria është i vetmi vend në Evropën Lindore me një zhvillim ekonomik tepër të qëndrueshëm, monedhë të qëndrueshme, interesa të ulëta, inflacion të ulët për një treg në zhvillim, ndërsa pjesa tjetër e Evropës ndodhet në mesin e një krize shumë intensive. Njerëzit që janë përgjegjës për këtë progres janë në të djathtën time. Jam veçanërisht mirënjohës ndaj jush zoti kryeministër dhe ndaj jush, zoti Fullani. Ajo që ne premtojmë në të ardhmen është fakti që ne do të vazhdojmë t’i japim hua industrive sepse vendi ka nevojë për financime të ndjeshme, specifikisht për infrastrukturën. Këtë i premtova kryeministrit një orë më parë në zyrën e tij. Menduam që Shqipëria të bëhet një vend anëtar i komunitetit evropian, të Bashkimit Evropian dhe ne do të japim kontributin tonë sa herë që të mundemi nga ana financiare që të bëjmë këtë ëndërr realitet.”
Duke pohuar se vendi ynë nuk është prekur nga kriza ekonomike kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha kërkoi nga bankat qe të kreditojnë pa frikën se mund të humbin.
Sali Berisha: “Të mos ndikohen nga frika e përgjithshme, prandaj i ftoj bankat në përputhje me realitetin shqiptar të kreditojnë, të kreditojnë. Absolutisht të gjithë elementët, të gjithë treguesit e kësaj ekonomie janë optimistë dhe në rast se ju nuk ndikoheni nga kriza financiare botërore që po kalon, edhe ajo po kalon. Ju do të keni këtu përfitimet më të mëdha me kërkimet tuaja.”
Pas analizimit të investimeve të bëra gjatë katër viteve në fushat më premtuese kryeministri Berisha u shpreh se turizmi është potenciali më i madh që ka Shqipëria, ndaj në vitet e ardhshme investimet e saj do të përqendrohen atje.
Sali Berisha: “Nuk ka një potencial turistik më tërheqës për t’u zhvilluar në Evropë. Jo vetëm bregu, por alpet tona nuk janë kaq të larta sa alpet e Austrisë, por në disa aspekte do të investoja më parë në këto të miat. Janë të njëjta dhe ne do t’u çojmë atyre infrastrukturën”.
I pranishëm në ceremoninë e 5-vjetorit të instalimit të Raiffeisen Bank në Shqipëri guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se progresi bankar në katër vjet është mjaft i lartë.
Ardian Fullani: “Dy shifra janë të rëndësishme për të përmendur sot. Në 2004 sektori bankar shqiptar përbënte vetëm 55%, aktive e tij përbënte 55% të PBB-së dhe 7.3% të kreditit të vendit. Sot ato përbëjnë 80% të PBB-së dhe 38.7% të kreditimit të vendit.”
Në 5-vjetorin e saj Raiffeisen Bank ka premtuar se do të vijojë mbështetjen për investimet e qeverisë në infrastrukturë dhe sektorin energjetik./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami