Elbasani do të shënonte pa mëdyshje takimin më të madh të demokratëve në shesh me qytetarët në kuadër të turit elektoral “Shqipëria po ndryshon”. Kryeministri do ta niste fjalimin e tij me një premtim se në mandatin e ardhshëm do të katërfishohen investimet për këtë qark.

15 miliard lekët e investuara në katër  vitet që lamë pas shënojnë gjithashtu katërfishin e investimeve të kryera për Elbasanin krahasuar me 8 vite të  qeverisjes socialiste. Kryeministri e cilësoi Elbasanin djep të dijes dhe qytetërimit si dhe premtoi se qeveria që drejton do të zbatojë  projekte të cilat përmirësojnë rrënjësisht jetën e banorëve të këtij qarku. 

Sali Berisha: “Unë vij sot këtu tek ju për t’u zotuar njësoj si katër vite më parë se Elbasani evropian dhe Shqipëria evropiane për mua do të thotë që pensionistët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen jo si tani, që kemi parakaluar dy vende anëtare të BE-së, por të parakalojmë me paga dhe pensione edhe katër vende të tjera. Në mbi 15 hidrocentrale, ndër të cilët edhe gjigandi i Evropës me 68 km  tunel në kaskadën e Devollit, do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë të këtij qarku. Unë vij këtu për t’ju garantuar ju, se parku industrial që do ngremë, pasi u vendosën standardet më të mira të mbrojtjes së mjedisit në metalurgjik, çimento dhe krom, do të punësojë me mijëra  e mijëra qytetarë të Elbasanit.”

Lista e kandidatëve për deputet në Elbasan kryesohet nga ministri i jashtëm Lulzim Basha. Ai ftoi gjithashtu qytetarët të votojnë projektin e madh të PD, Shqipërinë Europiane.

Lulzim Basha: “Nga Elbasani, zemra e Shqipërisë le ti shtrojmë pyetjen vetës dhe dëgjojmë përgjigjen që na jep zemra. Ne që rritëm rrogat e pensionet, ne që futëm Shqipërinë në Aleancë, në që kapërcyem qafat dhe luginat e rrepta dhe shembëm malin e Kalimashit. Cilin shkëmb do të shembim, cilin mal do të shpojmë, cilën qafë do të kapërcejmë së bashku në 4 vitet që vijnë. Le ti dëgjojmë përgjigjet e zemrës  dhe së bashku me to të dëgjojmë njeriun që shpresat dhe ëndërrat tona i ktheu në premtime dhe premtimet e tij i ktheu në vepra ditën në ndryshimit të epokave për shqiptarët kryeministri i Shqipërisë profesor,doktor Sali Berisha.”

Takimi në Elbasan pasonte bashkëbisedimin e kryeministrit Berisha me biznesmenë të tregut Çam në Tiranë. Ata i shprehen kryeministrit shqetësimin për nivelin e lartë të taksave që duhet ti paguajnë bashkisë. Duke e cilësuar nxitje e klimës së biznesit si kryesore për punësimin kryeministri Berisha përfitoi edhe njëherë nga rasti të kujtojë se për taksat lokale do të zbatohet ligji.

Sali Berisha: “Dua t’i them kryebashkiakut të Tiranës, të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë se mos guxoni të merrni edhe një qindarkë të vetme mbi 10%, sepse ligji do të veprojë me forcën më të madhe.”…/tvklan.al