Deputeti Luçiano Boçi ishte në një lidhje live në emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte. Ai u pyet në lidhje me dosjen e SPAK pas aksionit që goditi grupin e Suel Çelës në qytetin e Elbasanit, ku ai vetë është deputet.
I pyetur nëse Elbasani është kaq i inkriminuar sa duket në dosje, Boçi theksoi se problemin kryesor të kësaj çështje e ka politika e Elbasanit. Sipas Luçiano Boçit pyetja e natyrshme që lind pas aksionit të SPAK është se ku janë politikanët që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.
Sipas Boçit, SPAK duhet të zbulojë dhe të zbardhë krimin zgjedhor që ka ndodhur.
Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh në Elbasan? Lexova pak këtë dosjen, mezi po pres të vazhdoj vazhdimin, ishte kaluar librave. Agata Kristi do dukej diletante përpara dosjes.
Luçiano Boçi: Unë ndoshta dosjen nuk e kam parë, por gjykoj që ai aksion i policisë ka shumë pikëpyetje brenda në mënyrën si është vepruar, si janë targetuar personat. Ka paksa kontradikta brenda parashtrimeve që SPAK bën në mënyrën si interpreton aksionin dhe faktet sepse ka kakofoni që janë përgjime që vijnë nga përgjimet e EncroChat apo nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Dumani. Edhe më herët ka pasur mospërputhje mes përgjimeve të dala në Sky dhe EncroChat dhe të thënave të Dumanit si i penduar dhe kjo ka krijuar një lloj amullie në mënyrën si ka vepruar SPAK.
Blendi Fevziu: Pyetja e drejtpërdrejtë është Boçi, kaq i inkriminuar është Elbasani sa duket në dosje?
Luçiano Boçi: Elbasani ka pasur problemin e tij dhe problemi kryesor të inkriminimit Blendi e ka politika e Elbasanit, e kanë përfaqësuesit politikë dhe kjo mungon në aksionin politik të Elbasanit. Kjo situatë nuk mund të mbulohet me një lidhje mes personave dhe gjyqtarëve, por duke u nisur nga vetë shprehja e Dumanit që nëpërmjet Sky dhe EncroChat kemi zbuluar lidhjet e krimit me politikën, pyetja natyrshëm e imja dhe e juaja në studio është ku janë politikanët?
Blendi Fevziu: Ju pretendoni që në dosje nuk janë përfshirë politikanë që duhej të ishin në dosje?
Luçiano Boçi: Po, po këtë po pretendoj.
Blendi Fevziu: E keni informacion këtë apo hamendje?
Luçiano Boçi: Unë këtë e kam nisur nga thëniet e zotit Dumani.
Blendi Fevziu: Nëse keni informacion për këtë të lutem mi thuaj se kjo hap një temë shumë të madhe.
Luçiano Boçi: Është dekonspiruar vetë Dumani ku tha se nëpërmjet Encrochat kemi zbuluar lidhjet e krimit me politikën dhe krimi më i madh që ka ndodhur në Shqipëri, ka ndodhur kudo është krimi zgjedhor. Atëherë çfarë të dhënash ka zoti Dumani për krimin zgjedhor dhe kush janë politikanët e kapur me fakte në realizimin e krimit zgjedhor. Kemi vetëm një dosje sot, atë të Çyrbjes, e cila dhe ajo po mbahet e kamufluar. Për të vënë duart në kokë ishte ajo, prandaj kanë marrë masa që të mos i vemë dhe njëherë duart në kokë ne në situatat që janë zbuluar. Për sa kohë krimi më i madh është krimi zgjedhor, atëherë këtë presim ne dhe këtë e presin dhe shqiptarët. Ne presim të zbardhet dhe të zbulohet nga SPAK krimi zgjedhor./tvklan.al