Deputeti Luçiano Boçi në një lidhje live me emisionin “Opinion” në Tv Klan tha se qëllimi kryesor i mosbindjes civile duke bllokuar rrugët në kryeqytet ishte paralizimi i jetës sociale dhe ekonomike të Tiranës.
Ai u shpreh se në këtë aksion të PD-së morën pjesë aq njerëz sa ishte e domosdoshme. Po ashtu sipas tij, qytetarët që u bllokuan treguan solidaritet, duke nënkuptuar për Boçin, pranim të revoltës.
“Kanë qëndruar tre orë pa bërë asnjë gjest revolte ndaj njerëzve që janë grumbulluar”, tha Boçi.
Arsyeja pse Partia Demokratike i ka nisur aktet e mosbindjes civile është kërkesa për një qeveri teknike. Por çfarë ndodh nëse nuk e marrin, a do të hyjnë ata në zgjedhje?
Kjo ishte pyetja e drejtpërdrejtë që i drejtoi gazetari Blendi Fevziu. Por për Boçin mosbindja civile që ka nisur PD do të ketë sukses, pra do ta arrijë qëllimin që në zgjedhjet e ardhshme të hyhet me qeveri teknike, pa Ramën kryeministër.
Blendi Fevziu: Pyetje e drejtpërdrejtë, pa qeveri teknike, hyni apo nuk hyni në zgjedhje?
Luçiano Boçi: E kuptova shumë mirë. Mosbindja civile do vazhdojë me akte të tjera, më frekuente. Mund të jetë dhe afër në Dhjetor, por edhe në forma të tjera. Sot ka një bindje shumë të madhe që qëndresa e qytetarëve nuk mposhtet. Ka dhe mbështetje dhe përkrahje në opinionin publik sado deformohet, sado që shpërndahen mesazhe sikur nuk ka pasur solidaritet. Kjo nuk është e vërtetë sepse ne nuk transmetuam nga qytetarët diçka të tillë. Do insistojmë në mosbindje civile. Jo thjesht në format që nuk janë ekzekutuar, por duke performuar edhe në forma të tjera. Nuk jemi në fushën e shkencave ekzate.
Blendi Fevziu: Hyni apo nuk hyni me Ramën kryeministër në zgjedhje?
Luçiano Boçi: Ne do vazhdojmë betejën tonë me bindjen që do marrim qeverinë teknike. PD nuk është shprehur për bojkot të proceseve zgjedhore, por kjo nuk do të thotë që po të jap përgjigjen që ti do, jo se do ti, ti je gazetar dhe normal do. Përgjigja ime është do bëjmë aksionin tonë të mosbindjes civile për të arritur te qeveria teknike. Unë kur e kam bindje këtë dhe duke parë progresionin e akteve të mosbindjes civile nuk mund të them që prashikoj që mosbindja do dështojë. Jam shumë i bindur që do të ketë sukses./tvklan.al