Qeveria Shqiptare është e vendosur në misionin e saj për krijimin e një klime të favorshme biznesi për të gjithë investitorët e huaj anë e kënd botës. Mesazhi është ritheksuar nga kryeministri Berisha, i cili në mbrëmjen e së hënës dha një pritje në nder të të gjithë personaliteteve dhe përfaqësuesve të biznesit dhe pjesëmarrësve në Konferencën e 2  Ndërkombëtare të Bankës Islamike, e cila hap punimet dyditore në Tiranë.

Sali Berisha: “Ne punuam shumë gjatë këtyre viteve që ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet, për projektet tuaja dhe në këto dy ditë në Shqipëri ju do të keni rastin për të parë nga afër potencialet tona. Në hartë Shqipëria është një vend i vogël, por në potenciale nuk është tillë. Është një vend me potenciale të mëdha”.

Kreu i ekzekutivit shqiptar falënderoi Bankën Islamike për zhvillim dhe Fondin e OPEC-ut, që në këto vitet e fundit ka ndihmuar në një ekonomie tregu të begatë në Shqipëri.

Sali Berisha: “Fondi i OPEC-ut ishte ndër të parat që filloi të ndihmojë Shqipërinë  në ndërtimin e spitaleve modern, rrugëve moderne dhe mbështeti projekte në ndihmë të vendit. Nga Jugu në veri nga lindja në perëndim ka shumë projekte të realizuara nga zemërgjerësia e taksapaguesve të vendeve anëtare të Bankës Islamike për zhvillim dhe fondit të OPEC-ut.

Përfaqësuesit e Fondit OPEC dhe të Bankës Islamike për Zhvillim nga ana e tyre, e vlerësuan Shqipërinë si vendi i mundësive të mëdha dhe i rritjes më të madhe ekonomike në Evropë./tvklan.al