Shtimi i hapësirave të gjelbra në kryeqytet është një nga prioritet e planit rregullues të Tiranës, i cili i prezantua nga kryebashkiaku Edi Rama gjatë dëgjesës me disa qytetarë të Tiranës.
Sipas këtij plani rregullues do të shtohen hapësirat e gjelbra, duke bërë që në zonat e Paskuqanit dhe Farkës të ndërtohen parqe. Ndërsa do të rrethohet me gjelbërim i gjithë lumi i Tiranës dhe do të pastrohet e do të kthehet në hapësirë publike aktive zona përgjatë lumit të Lanës.
Sipas Ramës, plani rregullues parashikon zhvillimin e zonave të reja për shkak të shtimit të popullsisë.
Edi Rama: “Në vitin 2020 ne do të kemi mesatarisht edhe 400 mijë banorë më shumë. Ky plan na jep mundësinë që të garantojmë 200 mijë vende të reja pune, na jep mundësinë të shtojmë 175 Ha gjelbërim në një qytet, ku në vitin 2000 kishte 3.1 metër/2 gjelbërim për person dhe sot ka 4.3 metër/2 gjelbërim për person.”
Plani i ri rregullues parashikon përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e trafikut si dhe ngritjen e një kampusi universitar dhe një qendre kërkimore shkencore në verilindje të qytetit.
Megjithatë kryebashkiaku Rama sqaroi se plani i ri rregullues i përgatitur nga studio zvicerane Urba Plan, duhet të marrë aprovimin e qytetarëve, duke hapur kështu një debat publik mbi të./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami