Sot në seancën e ndërmjetësimit ‘Shihemi në gjyq” në Tv Klan, dy kunata u përballen me njëra-tjetrën për çështjen e pronësisë në lidhje me tokën, por edhe banesën. Prej 40 vitesh, 3 kunata së bashku me bashkëshortët e tyre jetojnë në një shtëpi, e cila nuk është e pajisur me dokumentat e pronësisë.

Sanija rrëfeu në studio vështirësitë me të cilat është përballur për shkak të varfërisë dhe sakrificat që ajo dhe familja e saj i është dashur të kalojnë për të përballuar jetesën.

6 mijë metër katrorë tokë, që ajo pretendon se i përkasin asaj dhe familjes së saj, sot rrezikojnë të ndahen edhe mes vëllezërve dhe motrave të bashkëshortit.

Shpresa: Sanije siç ke problem ti, kam edhe unë problem në familjen time!

Sanije: Po unë e di Shpresa që ti probleme ke, por kur të merrja në telefon unë dhe të thosha si është problemi i tokave, Shpresa më sqaro, ti nuk më sqaroje fare.

Shpresa: Sanije!

Sanije: E merrja Myrvetin, i thoja më sqaro, ajo nuk më sqaronte fare.

Shpresa: Sanije, sot ti duhet të përballeshe me Myrvetin këtu, me kunatën tjetër sepse ajo të hyn dy herë në pjesë, me prokurorën që ka nxjerrë Myrveti.

Sanije: Unë e ftova, por Myvreti nuk më erdhi mua këtu.

Shpresa: Me mua nuk ke punë. Çfarë pune ke me mua?

Sanije: Edhe me ty kam punë!

Eni Çobani: Ti je bërë pjesë e çertifikatës zonja Shpresa, tani jo nuk ke, se tani e heqim përgjegjësinë të gjithë, por ti një ide e ke si u bëre pjesë e kësaj çertifikate. Si u bëre ti?

Shpresa: Po e kam zonja Eni!

Eni Çobani: Nuk është momenti të hidhesh dhe të thuash Sanije pse më ftove? Ti ke qenë e ftuar bashkë me Myrveten, ti nuk erdhe thjesht të shoqëroje. Do rrije në publik vërtet, nuk do rrije aty, por Myrvetja u largua. Tani që kam juve këtu sqaroni çfarë ka ndodhur?

Sanije: Nuk më sqaronin, se ne rrimë në një shtëpi, në një shtëpi të tre vëllezërit. Ne rrimë të treja kunatat në një shtëpi.

Shpresa: Zonja Eni ne kemi jetuar shumë vite bashkë në një shtëpi.

Eni Çobani: Sa vite?

Sanije: 40 vite!

Eni Çobani: E di ç’do të thotë 40 vjet?

Shpresa: Një jetë e tërë!

Sanije: Unë prandaj nuk prishja qejf dhe nuk doja të ziheshim. Thoja gjithmonë fjalën e mirë, se thoja një ditë do vdesin, edhe i largohesha gjësë.

Shpresa: Zonja Eni, ne kërkojmë çështjen e shtëpisë sepse kemi 40 vite martuar dhe këto shtëpi janë pa karta. Ne kemi vuajtur në këto shtëpi sepse jeta atëherë kështu ka qenë, e vështirë.

Sanije: Po me Shpresa, sa herë ju kam thënë të bëni tapinë e shtëpisë?

Shpresa: Me këto tapi është marrë marrë Myvreti, Sanije!

Sanije: Dëgjo Shpresa ti e di sa shumë kam vuajtur unë. Vuajtjet e mia janë të papara.

Shpresa: Edhe ti ke vuajtur Sanije!

Sanije: Ç’njerëzore janë vuajtjet e mia, ti e di shumë mirë! Dhe më merrnit në telefon, hajde se u palasaritën shtëpitë.

Eni Çobani: Pse janë çnjerëzore Sanije, më fal të të pyes?

Sanije: Një vuajtje e llaftarisur. Burri punonte në fermë merrte 80 lekë, vjehrra më ndau, unë kisha një fëmijë. Çfarë mund të bëja unë? Shtëpia lart m’u dha pa rregulluar, se dhe ata s’kishin. Vjehrra kishte 7 fëmijë, ishin 3 djem në një shtëpi. Poshtë i rregulloi vjehrra, kurse ne sipër i kishim si karabina, vetëm tavanin dhe muret, pa dyer pa dritare. Unë jam sfilitur shumë, kam punuar me mish dhe me shpirt, që unë i kam bërë këto shtëpi. Dhe unë jam revoltuar shumë, si për tokat që më ndërhynë gjithë këto veta, ashtu edhe për shtëpinë, se unë s’kam asgjë në dorë. Unë u detyrova ika në Greqi, mora burrin, mora fëmijët, kam ikur zvarrë 12 orë. Më ka zënë policia më ka mbajtur një javë, më ka kthyer prapë./tvklan.al